Sami Lushtaku e Arben Gjukaj në gjyq për tenderin e KEK-ut

Lajme

Sami Lushtaku e Arben Gjukaj në gjyq për tenderin e KEK-ut

Më: 8 shkurt 2016 Në ora: 23:11

Shtatë persona, në mesin e tyre drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, do të ulen të martën në karrigen e të akuzuarve për akuzat e prokurorisë për tenderin milionësh të sigurimit fizik të objekteve të KEK-ut.

Në Gjykatën e Prishtinës për të martën është paraparë të mbahet një seancë statusore në rastin ndaj shtatë personave, të cilët akuzohen për veprat penale të mashtrimit, keqpërdorimit të detyrës dhe shtytjes në keqpërdorim të detyrës, lidhur me një tender milionësh të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Disa nga avokatët e të akuzuarve në këtë rast thonë se janë shkelur të drejtat ligjore të të akuzuarve, ndërsa rastin e kanë dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ky rast ka të bëjë me tenderin për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut, vlera e të cilit ishte rreth gjashtë milionë euro.

Në këtë rast gjyqësor Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për veprën penale mashtrim, Driton Pruthi, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha dhe Azem Duraku, akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.
Ndërsa, pas ankesës së avokatëve mbrojtës në Gjykatën e Apelit, nga kjo gjykatë aktakuza ishte konsideruar e pasafatshme dhe ishte gjetur se aktakuza ishte ngritur tre muaj e gjysmë pas skadimit të afatit të hetimeve.

Lidhur me këtë vendim, prokurori i EULEX-it ishte ankuar në Gjykatën Supreme të Kosovës, një trup i së cilës në përbërje prej dy gjyqtarësh të EULEX-it dhe një vendor, ndryshoi vendimin e Gjykatës së Apelit dhe lëndën e ktheu për procedim në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ky vendim shkaktoi reagimin e avokatëve mbrojtës. Disa prej tyre vendimin e cilësuan “skandaloz”, ndërsa për të shqyrtuar ligjshmërinë e këtij vendimi i janë drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe u kërkua masë e përkohshme.

Megjithatë, për të martën është thirrur një seancë statusore në të cilën do të diskutohet lidhur me procedimin e këtij rasti.
Avokatët: Po Cenohet Siguria Juridike

Avokatët mbrojtës të të akuzuarve po pretendojnë se vendimi i Gjykatës Supreme, që riktheu rastin në rigjykim, dhe procedimi lidhur me këtë rast, cenon sigurinë juridike të qytetarëve.

Avokati i Arben Gjukajt, Ramë Gashi, për KALLXO.com tha se është i njoftuar për caktimin e seancës dhe se vendimi Gjykatës Supreme shkel barazinë e qytetarëve para ligjit.

“Unë vlerësoj që vendimi i Gjykatës Supreme shkel barazinë para qytetarëve shkel barazinë juridike, dhe shkel disa parime që janë të garantuara me kushtetutë dhe janë të përcaktuar edhe me vet Kodin e Procedurës Penale në Kosovë”, tha Gashi.
Ligjshmërinë juridike të këtij vendimi e konteston edhe avokati i Sami Lushtakut, Arianit Koci. Ai thotë se Kodi i Procedurës Penale është i qartë dhe si i tillë përcakton që pas përfundimit të afatit të hetimeve duhet të ngritet aktakuza dhe në rastin konkret kjo nuk ka ndodhur.

“Aktakuza e ngritur pas pushimit të hetimit duhet të konsiderohet e pasafatshme. Kodi i Procedurës Penale i Kosovës si tërësi synon mbrojtjen e personave të dyshuar për vepër penale duke vendosur rregulla që parashohin sigurinë ligjore dhe duke parandaluar kështu arbitraritetin dhe diskriminimin nga ana e shtetit ndaj qytetarëve të vet.

Pikërisht qëllimi i dispozitës 159 të Kodit të Procedurës Penale është që të sigurojë që personat e akuzuar mos të qëndrojnë nën akuzë për kohë të gjatë”, tha Koci.

Mbrojtësi i kryetarit të Skenderajt tha gjithashtu se interpretimi juridik i kësaj norme është në frymën e nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Avokati tjetër në këtë rast, Sahit Bibaj, që mbron ish-kreun e OSHP-së, Hysni Hoxha, për KALLXO.com tha se seanca e thirrur nuk është nisje e gjykimit por seancë përgatitore-statusore.

“Është një seancë që ligji e lejon që gjykata me caktuar atë lloj seanca që mu konsultu me palët në procedurë dhe pastaj me ba planin e shqyrtimit, domethënë ky nuk është gjykim”, tha Bibaj.

Vendimi eshtë Dërguar në Kushtetuese

Vendimin e Gjykatës Supreme, sipas të cilit lënda u kthye në Gjykatën Themelore për procedim dhe u ndryshua vendimi i Gjykatës së Apelit që e kishte gjetur të pasafatshme aktakuzën lidhur me këtë rast, avokatët mbrojtës e kanë dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Avokati Arianit Koci thotë se lënda është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, por se ende nuk ka ndonjë vendim lidhur me rastin.

“Ne i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Ne gjithashtu kemi kërkuar edhe masën e përkohshme lidhur me këtë rast por ende nuk kemi marrë ndonjë përgjigje me shkrim”, tha Koci për KALLXO.com.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat