​Plotësohet amaneti i Mjeshtrit Ibrahim Kodra

Lajme

​Plotësohet amaneti i Mjeshtrit Ibrahim Kodra

Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 20:57

Për të nderuar emrin e piktorit të madh shqiptar, kontributin e tij në lartësimin e veprës shqiptare, Fondacioni “Ibrahim Kodra”, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës kanë vendosur të plotësojnë vullnetin e fundit të Mjeshtrit, Ibrahim Kodra, “Nder i Kombit”, që të prehet në Memorialin në Kodrat e Liqenit, pranë figurave të nderuara të kombit, Faik Konica e Vëllezërit Frashëri.

Vënia në vend e amanetit të Mjeshtrit kryhet me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së tij. Në koordinim me Bashkësinë e Tiranës dhe Durrësit janë marrë të gjitha masat për të realizuar ceremoninë e nderit, që do të mbahet në Kodrat e Liqenit Artificial, me pjesëmarrjen e personaliteteve më të larta të vendit.

Në një njoftim për media, Ministria e Kulturës bën të ditur se eshtrat e artistit Kodra do të vendosen në një vendndodhje që do të vizitohet nga bashkatdhetarë të shumtë të tij.

Në njoftim sqarohet se kjo ishte kërkesë e Behgjet Pacollt dhe Fatos Faslliut, kryetarë të Fondacionit “Ibrahim Kodra” në Lugano dhe në Durrës, për plotësimin e vullnetit të fundit të vetë piktorit të madh me titull “Nder i Kombit”, Ibrahim Kodra që të prehej në Tiranë, në një vendndodhje ku të vizitohej nga bashkatdhetarë të shumtë të tij, njofton Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ky vullnet i artistit Kodra, si pasojë e një mos-koordinimi, nuk u plotësua dhe eshtrat e tij sot prehen në Ishëm të Durrësit.

Ministria bën të ditur se Memoriali i vendosur në Ishëm në varrezën aktuale të Maestro Kodrës do të qëndrojnë në Ishëm dhe do të plotësohet me një pllakë përkujtimore ku do të shkruhet: “ISHMI ËSHTË KRENAR PËR BIRIN E VET, PIKTORIN E MADH, NDERIN E KOMBIT IBRAHIM KODRA (1918-2006), QË TANI PREHET SIPAS VULLNETIT TË TIJ TË MBRAMË NË TIRANË, PRANË FIGURAVE TË SHQUARA TË KULTURËS KOMBËTARE”.

Gjithashtu vënia e kësaj pllake përkujtimore do të shoqërohet me një ceremoni zyrtare nderimi.

Ky Memorial në nderë të artistit është respekt i emrit, kontributit dhe dashurisë për figurat e vyera të kulturës shqiptare të cilët kanë lartësuar emrin e kombit në nivele ndërkombëtare.

Eshtrat e Mjeshtrit Ibrahim Kodra do të pushojnë në Kodrat e Liqenit, në datà «n 12 shkurt, sipas amanetit të tij të fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat