Atentate në Berlin? Rreziku nga terrori në Gjermani (Foto)

Lajme

Atentate në Berlin? Rreziku nga terrori në Gjermani (Foto)

Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 09:04

"Një i çoroditur hedh shkelma”, “Kuti postare e shkatërruar”, “arrestim pas tentativës për vjedhje” - njoftimet e publikuara nga policia e Berlinit lexoheshin si çdo ditë tjetër ditën e premte (05.02). Ndërkohë gazeta më e madhe bulevardeske “Bild” titullon “Sulm terrorist i planifikuar në Berlin”, ndërkohë që gazeta tjetër lokale “Tagesspiegel” ka njoftime për “sulme terroriste në pikën “Checkpoint Charlie”, pikëkalimin e dikurshëm kufitar tek Muri i Berlinit, tani një pikë për t'u vizituar për çdo turist në Berlin.
"Jo të dhëna konkrete për vepra terroriste të drejtpëdrejta"

Të enjten në Gjermani u shoqëruan në polici disa persona të dyshuar e u kontrolluan banesa dhe qendra azili. Të dyshuarit janë të afërt me të ashtuquajturin „Shtetin Islamik“ dhe duket se kanë planifikuar përmes telefonit sulme terroriste. Por kryebashkiaku i Berlinit, Michael Müller bën të qartë për mediat se „nuk ka të dhëna për rrezik konkret në qytetin tonë“. Ndërsa presidenti i Mbrotjes Kushtetuese, Hans-Georg Maaßen bëri të ditur se „nuk kemi pasur një të dhënë për një akt terrorist të drejtpërdrejtë.“

Ky njoftim që zuri titujt kryesorë gjendet poshtë në renditjen e njoftimeve të policisë, ku më parë sheh njoftime për automjete apo çanta të vjedhura. Ndërkohë që të enjten (04.02) policia bëri të ditur njoftimin për „kontrolle brenda skenës islamiste“. Katër burra dhe një femër u arrestuan gjatë kontrolleve në Berlin, Saksoninë e Poshtme dhe Renani Veriore-Vestfali. Po hetohet për „përgatitjen e një vepre penale rrezikuese për shtetin“, bënë të ditur autoritetet. Sipas mediave të dyshuarit kishin biseduar në telefon për objektiva të mundshme të sulmeve terroriste. Ata njiheshin nga autoritetet si terroristë potencialë dhe ishin nën vëzhgim. Por nuk është e qartë, pse policia vendosi të ndërhyjë në një moment të tillë.

I dyshuari në kontakt me krerë të IS-it
Por për gjendjen e arrestit me burg nuk mjafton dyshimi për një vepër penale. Edhe Prokuroria e Përgjithshme, përgjegjëse për rastet e terrorizmit nuk aktivizohet në këtë rast. Megjithatë dy burra dhe një femër e dyshuar mbeten në arrest “për shkak të urdhërarrestit në një çështje tjetër”. Njëri nga të arrestuarit dyshohet për falsifikim dokumentesh dhe falsifikimin e identietit të tij në Gjermani.

Ndërsa personi tjetër, i cili së bashku me bashkëshorten ndodhej në një qendër azili në landin Saar, kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar. Algjeriani ka qenë pjesë e të ashtuquajturit “Shteti Islamik” dhe ka luftuar në Siri. Në Gjermani ai ka ardhur si refugjat duke shfrytëzuar itinerarin e Ballkanit. Gazeta “Tagespiegel” bën të ditur se ky person ka qenë në lidhje të ngushtë me krerët e IS-it, ndërsa revista gjermane “Der Spiegel” ka gjetur, sipas të dhënave të saj, lidhje me dorasit e atentateve të Parisit më 13 nëntor. Ka gjasa që këta të dyshuar janë dërguar nga milicët e IS për të kryer akte terroriste në Gjermani.

Sipas informacioneve nga agjencia gjermane e lajmeve, dpa, autoritetet gjermane po hetojnë në këtë drejtim. Megjithatë autoritetet gjermane nuk duan të bëjnë fjalë për një shkallëzim të gjendjes e rritjes së kërcënimit terrosit. Gjendja e rrezikut është e pandryshuar, shprehet presidenti i Mbrotjes Kushtetuese, Hans-Georg Maaßen. "Ekziston rrezik i lartë për kryerjen e një akti terrorist.“

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat