Pendohet vrasësi i policit Shemsi Gashi (Video)

Lajme

Pendohet vrasësi i policit Shemsi Gashi (Video)

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 08:11

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Vesel Gjinovci e pranoi fajësinë për vrasjen e rreshterit policor Shemsi Gashi.

Në këtë gjykatë të premten u zhvillua seanca fillestare ndaj tetë të akuzuarve për shtytje në vrasje të rëndë, armëmbajtje pa leje dhe vrasje të eprorit të krimeve ekonomike Shemsi Gashi.

Vesel Gjinovci, njëri nga të akuzuarit e pranoi fajësinë për këtë vrasje dhe armëmbajtje pa leje, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja.

Ai u kërkoi falje familjarëve të viktimës dhe tha se ndihet i mashtruar. Deklarimin e tij e mbështetën edhe avokatët e tij Skender Musa dhe Ahmet Gjinovci, duke kërkuar nga gjykata që ta aprovojë këtë pranim fajësie.

Edhe të akuzuarit Muja Gashi dhe Vesel Bunjaku e pranuan fajësinë për armëmbajtje pa leje, ndërsa u deklaruan të pafajshëm për shtytje në vrasje të rëndë.

Të akuzuarit Ramadan Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Kujtim Bejiqi nuk e pranuan fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Shumica e avokatëve mbrojtës kërkuan që ndaj të akuzuarve të ndërpritet masa e paraburgimit dhe ajo të zëvendësohet me ndonjë masë tjetër të përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale.

Prokurorja u pajtua që gjykata të aprovojë pranimin e fajësisë për ata që u deklaruan fajtorë për vrasje ose armëmbajtje, ndërsa e kundërshtoi propozimin për ndryshimin e masës së paraburgimit për të akuzuarit.

Gjyqtarja mori vendim që të aprovohet pranimi i fajësisë, ndërsa e la në fuqi masën e paraburgimit për të akuzuarit.

Seanca e radhës u caktua me datën 11 mars 2016.

Pas seancës Ahmet Gjinovci mbrojtës i Vesel Gjinovcit shpjegoi se si do të shkojnë procedurat e mëtejme.

“Sot ishte seanca fillestare, unë e mbroj Vesel Gjinovcin, seanca fillestare përfundoi, ndërsa ajo e radhës u caktua më 11 mars të këtij viti, avokatët mbrojtës kanë të drejtë ankese në afatin prej 30 ditësh. Në seancën e radhës fillon seanca e dytë ku do të fillohet me procedurën e mëtutejshme konform dispozitave ligjore,” tha avokati Gjinovci.

Avokati Gjinovci tha se i mbrojturi i tij e ka pranuar fajësinë këtë pranim e ka aprovuar edhe gjykata.

“I mbrojturi im Vesel Gjinovci e ka pranuar veprën penale në tërësi në konsultim me mbrojtjen ashtu që edhe gjykata pranimin e fajësisë e ka pranuar për çka edhe prokurori i çështjes e ka dhënë mendimin e vet që të pranohet fajësia,” tha Gjinovci.

Eprori policor i krimeve ekonomike Shemsi Gashi ishte vrarë më 25 mars të vitit të kaluar në lagjen “Mati” të Prishtinës, ndërsa për vrasjen e tij Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzon tetë persona.

Ramadan Gashi, Muja Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku akuzohen për planifikimin e vrasjes së Shemsi Gashit, ndërsa për vrasjen e tij ngarkohen Vesel Gjinovci e Kujtim Bejiqi.

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën për vrasjen e rreshterit Gashi, ndërsa sipas saj prokuroria dyshon se vrasja e tij është planifikuar në Brezovicë.

Sipas aktakuzës për vrasjen e Gashit, Vesel Gjinovcit e Kujtim Bejiqit u ishin premtuar 5 mijë euro.

Aktakuza zbulon se shtëpia e Gashit ishte sulmuar me armë një muaj para vrasjes së tij, por rreshteri nuk e kishte lajmëruar sulmin në polici, ngase dëshironte që problemet private t’i mbante larg detyrës zyrtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat