Do të përgjigjen ushtruesit dhe urdhëruesit e torturimit të Grupit të Kumanovës

Lajme

Do të përgjigjen ushtruesit dhe urdhëruesit e torturimit të Grupit të Kumanovës

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 07:19

Prof.dr. Mitasin Beqiri, profesor universitar i kriminologjisë dhe penologjisë dhe ish-drejtor i përgjithshëm i Burgjeve në Maqedoni në një deklaratë për INA thotë se duhet të përgjigjen para drejtësisë të gjithë ata që kanë ushtruar dhunë, torturë dhe kanë shkelur procedurat me të paraburgosurit e Grupit të Kumanovës.

“Mund të them se nuk janë respektuar ligjet dhe ka shkelje të mëdha ligjore dhe të procedurave. Personat e privuar janë rrahur prej Kumanove deri në Shkup dhe kjo shihet në pamjet e MPB-së. Kjo ka ndodhur edhe kur kanë shkuar në pyetje tek gjykatësi i procedurës paraprake. Nga vendi i arrestimit deri tek gjykatësi personat e privuar mbahen në stacion policor deri në 72 orë. Kjo është faza më e errët e mbajtjes së personave të privuar në stacionet policore. Këtu rrihen, maltretohen, nënçmohen dhe pësojnë të zezat e ullirit. Më pas pason dërgimi tek gjykatësi hetues, i cili ka për detyrë që në ate gjendje të rrahur dhe maltretuar, të cakton masën e shërimit të detyrueshëm në spital e jo masën e paraburgimit, siç ka ndodhur me këtë grup”, theksoi për INA prof.dr. Mitasin Beqiri.

Sipas tij, të gjithë shkelësit dhe autorët e këtyre veprimeve brutale antiligjore lehtë mund të zbulohen, nëse vepron si duhet ligji dhe se ata mund të ndëshkohen me burg.

“Por, me këtë duhet të nxjerrim në pah se organet policore vihen në pozitë mbi prokurorinë dhe gjykatën, ndërsa në fakt duhet të jenë në shërbim të këtyre institucioneve”, theksoi Beqiri. Ai ka apeluar që për këto shkelje nuk duhet të heshtin as institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe institucione të tjera.

“Kjo mund të identifikohet shumë lehtë nga organet e rendit, duke u ditur fillimisht se kush ka qenë në operacion. Edhe gjykatësit që kanë marrë në pyetje në këtë gjendje dhe të marrin masa. Andaj apeloj që kjo të zbardhet dhe pikërisht hetimi i gjërë që po kërkohet sidomos nga faktori ndërkombëtar duhet të përfshijë edhe këtë pjesë më të errët, e cila është aplikuar dhe po aplikohet ashpër në Maqedoni, edhe përkundër pretendimeve për anëtarësim në NATO dhe BE”, theksoi, Mitasim Beqiri, që njëherit është edhe anëtarë i kryesisë së PDSH.

Sipas tij, Ministri i Drejtësisë nga ajo çka po flasim duhet të ndërmarrë iniciativë nëpërmjet Këshillit Gjyqësor Republikan të shkarkojë gjykatësit e procedurës paraprake, që u kanë caktu paraburgim personave të rrahur dhe maltretuar. Ndërkohë, duhet shkarkuar drejtoreshën e ekzekutimit të sanksioneve dhe drejtorin e burgut të Shuktës, se pse i kanë pranuar personat në këtë gjendje shëndetësore.

Avokati i Popullit duhet të jetë më zëshëm dhe mos të mbrojë gjykatësit e procedurës paraprake, se janë rrahur ata prej gjyqi deri në burg. Ndoshta janë rrahur edhe në këtë rast, por ata janë rrahur edhe nga Kumanova për në stacionin policor, edhe kur janë dërguar tek gjykatësi, por edhe nga gjykata deri në burgun e Shutkës. Për këtë ai duhet të përgadis raport për në Parlament dhe jo këtë ta thotë vetëm përmes mediave.

“Këto dhe shumë dilema tjera janë shqetësuese për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në Maqedoni. Nuk duhet të heshtim, por këto çështje duhet të alarmohen”, tha Beqiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat