Vizat e Bosnjës ndaj Kosovës, pengesë e bashkëpunimit

Lajme

Vizat e Bosnjës ndaj Kosovës, pengesë e bashkëpunimit

Më: 5 shkurt 2016 Në ora: 17:39

Regjimi i vizave ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës paraqet një gjendje absurde kur është në pyetje liria e lëvizjes, është thënë në një konferencë lidhur me liberalizimin e vizave ndërmjet dyja shteteve, të organizuar nga Fondacionet për Shoqëri të Hapur nga Kosova, përkatësisht Bosnja.

Në kohën kur në Ballkan vizat vetëm se nuk ekzistojnë, mbajtja në fuqi e një regjimi të tillë ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës, sipas panelistëve në këtë konferencë, paraqet një gjendje sa frustruese, aq edhe qesharake.

Analisti Shkëlzen Maliqi ka rikujtuar që lëvizja e lirë në relacionet Kosovë - Bonje e Hercegovinë është ashpërsuar sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Por, ai ka rikujtuar faktin që as Serbia nuk e njeh Kosovën e pavarur, por liria e lëvizjes është mundësuar me anë të dialogut.

“Është e rrugës që ngjashëm të veprohet edhe përmes dialogut ndërmjet Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, pa nevojën që të futet reciprociteti. Por, tani e kemi reciprocitetin nga njëra anë dhe ngurrimin e vazhdueshëm që Prishtina dhe Sarajeva zyrtare të mbajnë një instancë të dialogut, që do të adresonte këtë problem, i cili çdo ditë e më tepër po bëhet anakron dhe absurd”, ka thënë Maliqi.

Sipas Maliqit, vendimmarrja në Bosnje është e shtrirë në tri njësitë kryesore të shtetit, andaj edhe është e vështirë të merren vendime pragmatike.

I një mendimi të përafërt ishte edhe Darko Brkan, kryetar i organizatës, “Pse jo” nga Bosnja. Edhe ai ka thënë se lëvizja e lirë mes dy popujve po pengohet nga vendimmarrjet politike.

“Shkaku për një gjendje të tillë mund të gjendet tek vendimmarrja në Bosnje e Hercegovinë, ku një pjesë e bllokadës mundësohet nga vet sistemi, ngase atje është më vështirë të merret një vendim proaktiv, sesa që të bllokohet”, ka thënë Brkan.

Politika në Bosnje, ka vijuar ai, është mjaft e getoizuar.

Barrierat e krijuara në lirinë e lëvizjes, u vlerësua se krijojnë vështirësi për bashkëpunim në fusha të ndryshme.

Asja Makareviç, nga Festivali i Filmit të Sarajevës, ka folur për problemet me të cilat ballafaqohen artistët nga Kosova për pjesëmarrje në ngjarje të ndryshme që organizohen.

Sipas saj, për pjesëmarrje në ngjarje nga fusha e artit, artistët nga Kosova duhet të planifikojnë udhëtimin për në Sarajevë një muaj më herët, për shkak të procedurave.

Mospjesëmarrjen e artistëve nga Kosova në ngjarje të tilla si Festivali i Filmit në Sarajevë, për shkak të vizave, e ka cilësuar si humbje të madhe drejtoresha e Festivalit të Filmit Ndërkombëtar në Prishtinë, Vjosa Berisha.

“Nuk mund të mos e përmendi momentin kur ishte premiera e filmit “Kukumi” në Sarajevë. Atë ditë një pjesë e aktorëve është dashur ta kalojnë gati se tërë natën në kufi në Republika Srpska, sepse kufiri mbyllej në orën 20:00, e ata nuk patën mbërri me kohë".

"Vizat nuk kanë qenë të zgjidhura, është dashtë të rregullohen në kufi, kështu që këto janë ato problemet që trajtohen”, ka thënë Berisha.

Nga shtetet e formuara pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, përveç Serbisë, edhe Bosnje e Hercegovina nuk e njeh Kosovën e pavarur, kryesisht për shkak të pozicionit që ka Republika Serbe e Bosnjës.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Bosnja kishte aplikuar regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ndërkaq më vonë, si masë reciprociteti ishte përgjigjur edhe Kosova, duke aplikuar viza për zyrtarët e këtij shteti që udhëtojnë në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat