Te Manastiri i Deçanit u arrestua nipi i Visar Ymerit

Lajme

Te Manastiri i Deçanit u arrestua nipi i Visar Ymerit

Më: 5 shkurt 2016 Në ora: 17:01

Njëri prej katër personave të arrestuar një javë më parë në afërsi të Manastirit të Decanit, nën dyshimin për përfshirje në grupe terroriste, është nipi i kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymerit.

Për katër personat që të shtunën janë ndaluar nga Policia e Kosovës në afërsi të Manastirit të Deçanit, ende nuk është ngritur aktakuzë që lidhet me terrorizëm, por atyre u janë konfiskuar një sasi e armatimit, dhe akuzohen vetëm për armëmbajtje pa leje.

Express merr vesh se njëri prej të dyshuarve është djali i agjës së liderit të VV, Visar Ymerit, Arben Ymeri.

Madje ai dyshohet të këtë qenë në Siri, si pjesë e luftës.

Përvec kësaj media ka mësuar edhe emrat e tre të tjerëve, dy prej të cilëve janë nga Gjakova.

Të arrestuarit tjerë janë: Kushtrim Rama nga Gjakova, Kushtrim Kurti poashtu nga Gjakova si dhe Alban Kelmendi. Edhe ky i fundit besohet se ishte ndaluar në Stamboll në tentativën e tij për të marrë pjesë në luftën në Siri.

Policia e Kosovës gjatë kontrollit në veturën me të cilin ishin duke udhëtuar katër personat ka gjetur dhe konfiskuar një AK/47 me 20 copë fishekë si dhe një pistoletë me 16 copë fishekë të kalibrit 9mm. Të njëjtit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Gjykata Themelore në Pejë, të hënën u ka caktuar atyre masën e paraburgimit prej një muaji.

Katër të paraburgosurit janë të dyshuar vetëm për armëmbajtje pa leje, pasi organet e hetuesisë ende nuk kanë gjetur prova nëse këta persona kishin pasur qëllim terrorist në Manastrinë e Deçanit.

"Nuk ka asnjë dyshim që të njëjtit kanë lidhje me terrorizëm dhe diçka e tillë nuk është vërtetuar. Unë jam duke hetuar vetë për armëmbajtje pa leje", ka thënë për media Valbona Haxhocaj, prokurore e rastit.

Megjithatë, Haxhosaj në seancën e parë ndaj tyre ka ngritur dyshime se këta persona mund të jenë të përfshirë edhe në sulmin me armë në fshatin “Berkovë” të Komunës së Klinës ndaj një shtëpie të komunitetit serb natën e arrestimit. Por ky pretendim i prokurores është mohuar nga të pandehurit.

Arrestimi i personave në afërsi të Manastirit të Deçanit ka nxitur reagime të shumta të përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe dhe autoriteteve të Serbisë.

Igumeni Sava Janjiq, i cili drejton Manastirin e Deçanit, ka thënë më herët për Evropën e Lirë se arrestimi i katër personave është regjistruar nga kamerat e sigurisë, të cilat janë të vendosura në Manastirin e Deçanit dhe ata do të kërkojnë që hetimi të zbatohet deri në fund.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat