Nga vdekja e Pajazit Nushit, grupi punues për të pagjeturit pa kryetar

Lajme

Nga vdekja e Pajazit Nushit, grupi punues për të pagjeturit pa kryetar

Më: 5 shkurt 2016 Në ora: 12:24

Grupi punues për persona të pagjetur ka mbetur pa kryetar që nga vdekja e akademik Pajazit Nushit, që e ka udhëhequr këtë grup.

Delegacioni serb ka anuluar disa takime me arsyen se nuk është kryetari i pranishëm, për të negociuar.

Ndërsa kryetari i Komisionit për të Pagjeturit, Prenk Gjetaj, i cili po e kryeson grupin punues thotë se punët megjithatë po vazhdojnë normalisht dhe pa ndonjë problem.

Ai ka thënë se nuk qëndrojnë fjalët se punët e Komisionit kanë stagnuar pas vdekjes së akademik Nushit dhe se marrëdhëniet me palën serbe janë të njëjta sikurse më parë.

“Vdekja e akademik Pajazit Nushi na ka hendikepuar sepse ai kishte përvojë dhe dituri për këtë çështje, mirëpo dialogu po vazhdon dhe unë vazhdoj ta udhëheq delegacionin e Prishtinës për bisedime me palën serbe”, ka thënë Gjetaj.

Ai po ashtu ka demantuar atë që thuhet se pala serbe nuk e ka ftuar palën nga Kosova për gërmime në disa vende ku dyshohej për varreza, me arsyen se nuk ka kryesues.

“Nuk është e vërtet se pala serbe nuk na ka ftuar në disa gërmime. Nuk varet pjesëmarrja e palës në gërmime vlerësuese nga kryesuesi, në të vërtetë ne e kemi kushtëzuar pjesëmarrjen tonë që asnjë aktivitet që zhvillohet në kuadër të zhvillimeve për dyshime të ndonjë varreze individuale apo masive në territorit e Serbisë ku kërkohen shqiptarët, të mos bëhet pa prezencën tonë, dhe kjo marrëveshje është arritur, sepse çdo aktivitet që zhvillohet atje, ne marrim pjesë”, ka theksuar Gjetaj.

Ai ka shtuar se në dy takimet që janë mbajtur në fund të vitit të kaluar, pala kosovare ka marr pjesë dhe ka qenë e plotfuqishme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat