Murtezaj i përgjigjet Qosjes

Lajme

Murtezaj i përgjigjet Qosjes

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 22:30

Valon Murtezaj, Këshilltari Politik i Kryeministrit Mustafa, i është përgjigjur shkrimeve të Rexhep Qosjes, duke i konsideruar ato jo të denja për t’u përcjellë te ambasadorët.

Murtezaj më tutje ka thënë se ka një kohë të gjatë që i përcjell shkrimet e tij dhe se sa herë i ka lexuar ka parë përçarje, duke thënë se ai gjithmonë mundohet të ndezë e përçajë.

Sipas tij, Rexhep Qosja asnjëherë nuk po mund ta arrijë qëllimin e tij, gjë që Murtezaj e konsideron si fat të mirë.

Lexoni shkrimin e plotë të Valon Murtezaj:

Ky shkrim imi nuk ka të bëjë me z. Albin Kurti. Ka të bëjë me shkrimet e fundit të z. Rexhep Qosja.
Ky 28 nëntor më gjeti në Paris.

Por i lexova ato që ka shkruar z. Rexhep Qosja. Përfshirë letrën për ambasadorët, që ishte kërkesë e pasinqertë, dhe jo e denjë për ta përcjellur te ndonjë Shkelqësi.

Gjyshin tim ndjesë pastë (Sefer e ka pas emrin, ka punuar shumë dhe ka hequr shumë për të mbajtur familjen e tij, si gjithë shqiptarët, por ka qenë edhe luftëtar me plis të bardhë) shpesh e kam dëgju duke thënë ‘njeri i mirë e i meqëm kur është flakë, shymë’. Kam qenë i ri në atë kohë dhe se kam kuptuar mirë.

Prej që më kujtohen shkrimet e z. Qosja, me shfaqjet e tij gjithmonë ndez, përçan. Apo të jem më i saktë, mundohet të ndez, të përçajë. Fati i mirë në këtë është se asnjëherë nuk mundet.

Shqiptarët e dijnë kur e dhezin flakë.

Shkrimet revolucionare të tij, nuk përkojnë me shkrime të një intelektuali të shekullit XX dhe XXI. Qëllimi më i lartë i edukimit është të jetë në shërbim të së mirës, ka thënë Platoni para më shumë se dymijë vitesh.

Nuk ka të mirë më të madhe se të ruhen jetat e njerëzve. Edukimi që përdoret për të keqen nuk quhet edukim. Detyra e intelektualit është që kudo që është, në secilin identitet që mban, të përçojë mesazhe apeluese afrije dhe shëruese konfliktesh. Por z. Qosja bën të kundërtën. Apelet e tij janë për Bastije të reja. Shqiptarët dhe Kosova, kanë Bastijet e veta, dhe mjaft kanë dhënë jetëra gjatë historisë.

Nuk është e sinqertë përkrahja e Qosjes për Albinin. Kam arsye të mendoj kështu sepse deri para pak kohësh Qosja ishte kundër Albinit.

Me herët përkrahte PDK-në. Prapë mendoj, kjo përkrahje për PDK-në ishte e pasinqertë. Në fillim këtë dashuri për PDK-në, e kishte vetëm se ishte kundër Ibrahim Rugovës, e kohëve të fundit sepse i pelqenin eurot (200 mijë e sa euro), për botimin e kompletit të veprave, që edhe ashtu janë të karakterit provincial.

Sepse dihet nëpër botë është vetëm Ismail Kadare, shqiptari që lexohet.

Por, bindja ime është se Qosja problemin e ka me LDK-në. Më saktësisht me madhështinë e Ibrahim Rugoves. Ai nuk po mundet ta çlirojë veten nga xhelozia (xhelozia e nivelit të lartë është sëmundje e padiciplinimit të lartë mendor sipas shkencës më të re), dhe ta pranojë lavdinë e vërtetë dhe të përjetshme që ka Presidenti Ibrahim Rugova në Kosovë, dhe për Kosovën.

Tash secili e ka vendin e vet. Krejt Ibrahim Rugovë nuk mundemi me u ba. Një ka qenë, ska më të tjerë.
Kanë qenë rrethana kur është krijuar, dhe i ka kryer me devotshmëri më të lartë përgjegjësitë e prijësit të popullit të robëruar dhe liridashës.

Në fund dua të them që ndihem shumë keq për rrethanat që janë krijuar në Kosovë. Une kam besim që dialogu në Kosovë do të mbizotërojë çfarëdo sjellje tjetër, dhe gjërat do të normalizohen. Populli i Kosovës, ka nevojë për qetësi dhe paqe. Kosova ka nevojë për ecje përpara, dhe të bëhet lule në mesin e luleve të Evropës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat