Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj personit që sulmoi eskortën e kryeministrit

Lajme

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj personit që sulmoi eskortën e kryeministrit

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 16:55

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj një aktivisti të Lëvizjes Vetëvendosje i cili javë më parë ka sulmuar eskortën e Kryeministrit Isa Mustafa me disa mjete metali me gjemba.

Nga veprimi i T.G. fillimisht ishte distancuar Lëvizja Vetëvendosje mirëpo sipas Prokurorisë personi i akuzuar ka pranuar se është anëtar i kësaj Lëvizje.

"Departamenti për Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë, kundër T.G., për veprat penale: Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës në tentativë, nga neni 128 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, nga neni 409 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktakuza ka të bëjë me rrezikimin e përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës, gjegjësisht eskortës së kryeministrit, ku i pandehuri sipas marrëveshjes paraprake me katër persona të paidentifikuar në rrugën ‘Ilir Konushevci’, në Prishtinë, me di sa mjete të përshtatshme për shkatërrimin e gomave të punuara nga metali me gjemba, kanë tentuar të shkatërrojnë gomat e veturave të eskortës, mirëpo janë penguar nga personat zyrtarë. Gjatë veprimeve të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, i pandehuri të njëjtit i ka sulmuar duke iu shkaktuar lëndime trupore.

Pas kësaj ngjarjeje Lëvizja “Vetëvendosje” është deklaruar se nuk qëndron pas këtij akti, mirëpo pas arrestimit të të pandehurit rezulton se i njëjti është anëtar i kësaj Lëvizjeje.

Për veprat me të cilat i pandehuri ngarkohet sipas aktakuzës, prokurori i rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënojë sipas ligjit".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat