Alma Lama: Kriza në Kosovë, skenar nga ata që i tremben Speciales

Lajme

Alma Lama: Kriza në Kosovë, skenar nga ata që i tremben Speciales

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 09:49

Kriza dhe dhuna në Parlamentin e Kosovës janë një skenar dhe mjet presioni ndaj komunitetit ndërkombëtar nga politikanët që i tremben Gjykatës Speciale.

Deklarata “bombë” vjen nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alma Lama, e cila nga studio e lajmeve të Ora News tha se pjesë e këtij plani janë edhe deputetë të PDK-së së Hashim Thaçit.

Alma Lama: Ka edhe nga pozita dhe konkretisht nga PDK aktorë të cilët luajnë për një fakt të thjeshtë sepse së shpejti do të funksionalizohet Gjykata Speciale dhe janë disa eksponentë të politikës në Kosovë që pritet të akuzohen. Kërkojnë që të tensionojnë situatën në një mënyrë që të kërcënojnë në një farë mënyrë bashkësinë ndërkombëtare për prishjen e stabilitetit në Kosovë.

Duke e konsideruar situatën në Kosovë si shkatërrim të shtetit nga brenda, Lama argumentoi pse sipas saj kauzat e opozitës nuk qëndrojnë, ndërsa paralajmëroi se marrëveshjet e kundërshtuara nuk do të marrin as votën e deputetëve të mazhorancës nëse cënohet territori i shtetit.

Alma Lama: Asnjë deputet nuk e ngre dorën në rast se kemi humbje territoresh, kështu që ne thjesht po presim ekspertizën. Kryeministri ka kërkuar edhe nga Bashkimi Europian për ta zgjidhur këtë krizë pra, të dërgojë ekspertë të kësaj fushe po kështu edhe nga amerikanët në mënyrë që të krijohet një Komision tjetër dhe ti shtrijmë hartat në tavolinë dhe të shohim nëse në të vërtetë ka apo jo mospërputhje.

Ndërsa arrestimin e deputetit Albin Kurti, i cili ka ngjallur edhe reagimin e ndërkombëtarëve, Lama e konsideroi zbatim të ligjit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat