Avokatët kundërshtojnë dënimet në rastin e pasaportave

Lajme

Avokatët kundërshtojnë dënimet në rastin e pasaportave

Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 21:04

Avokatët e të dënuarve në rastin e pasaportave paraqitën kundërshtimet në Gjykatën e Apelit.

Avokati i Natali Veliajt, Ali Beka, tha se aktgjykimi me të cilin u dënua e mbrojtura e tij nuk ishte i vërtetuar.

“Si prokurori, ashtu edhe trupi gjykues i shkallës së parë nuk e kanë vërtetuar skajshmërisht përtej dyshimit të arsyeshëm, ndërsa gjykata i ka marrë si të besueshme, e që ndoshta për mendimin tim janë krijuar edhe favore OeSD-së, pasi që kjo çështje nuk ka përfunduar ende,” tha Beka.

Edhe avokati i Fisnik Blakajt, Mexhid Syla mbështeti kërkesat e avokatit të Natali Veliajt duke iu referuar këtij aktgjykimi si me shkelje të mëdha ligjore.

“Është një prej rasteve të rralla që kam marrë një aktgjykim, apo të cilin e përshkojnë shkelje kaq të mëdha të dispozitave të procedurës penale,” tha Mexhid Syla.

Më 18 dhjetor të vitit të kaluar për keqpërdorim të 1.4 milionë eurove të destinuara për pagesën e kompanisë OeSD nga Ministria e Punëve të Brendsshme, Natali Veliaj u dënua me 12 vjet burg.

Së bashku me Natali Veliajn në këtë rast qenë dënuar edhe Fisnik Blakaj (11 vjet), Betim Blakaj (8 vjet), Ergyn Dogani (8), Yner Fazlija (5), Nazmi Thaçi (4), ndërsa Jakup Blakçori dhe Sefedin Shala u dënuan me nga 1 vit burg.

Beka gjatës seancës pati edhe një kërkesë për panelin e Apelit.

“Kam kërkuar edhe me shkrim që gjithsesi duhet edhe një ekspertizë e pavarur financiare për të vërtetuar të gjitha shmangiet nga kontrata në mes të OeSD-së dhe MPB-së dhe nëse ato shmangie kanë qenë keqpërdorim i detyrës zyrtare, sepse vetë gjyqtari në këtë aktgjykim e shtron pyetjen, nëse Ministria e Punëve të Brendshme është fajtore për shkak se ka bërë pagesën apo OeSD-ja për dhënien e autorizimit të pandehurës Natali Veliaj”, tha Beka.

Kontrata për prodhimin e pasaportave diplomatike mes MPB-së e OeSD-së u nënshkrua në vitin 2011.

Natali Velija akuzohej për krim të organizuar, shpëlarje parash, mashtrim, shmangie nga tatimi dhe keqpërdorim të besimit

Për dy akuzat e para po gjykohej edhe Fisnik Blakaj.

Për krim të organizuar, shpëlarje parash dhe shmangie nga tatimi ngarkoheshin edhe Ergyn Dogan, Ymer Fazlia dhe Nazmi Thaçi. Për shmangie nga tatimi akuzohen edhe Hashim Shala e Jakup Blak]ori. Mbi Blakçorin rëndonte edhe akuza për pranim të mallrave të vjedhur.

Ergyn Dogan ka themeluar kompaninë “Qeramika”, Jakup Blakqori figuron si përfaqësues fizik i kësaj kompanie. Nazmi Thaçi është menaxher i kompanisë “Construction beton”, Ymer Fazlia është përfaqësues fizik i firmës “Ron Ing”, ndërsa Hashim Shala ka të regjistruar në emër të tij kompaninë “Pirro".

Vendimi lidhur me ankesat e mbrojtjes së të akuzuarve do të merret në ditët në vijim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat