​Latif Gashi jep dorëheqje nga pozita e deputetit

Lajme

​Latif Gashi jep dorëheqje nga pozita e deputetit

Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 13:53

Vendimin ai e ka marrë pasi Gjykata e Apelit ka konfirmuar dënimin e tij për krime lufte me 6 vite burg.

Kjo është letra e plotë e Gashit:

- Para disa ditësh Gjykata e Apelit e ka konfirmuar nje dënim të padrejtë të një procesi gjyqësor që kishte nisur me 28 janar 2002. Në këto 14 vjet unë i kam vuajtur më shumë se 2/3 e dënimit. Unë kam të drejtë kushtetuese për lirim me kusht, meqë pjesën dërrmuese të dënimit unë e kam shlyer. Në dispozicion timin, gjithashtu, kam edhe mjete të tjera juridike, qoftë në kuadër të Gjykatës Supreme, ose edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Mirëpo, për hirë të interesit të vendit tonë, për hirë të proceseve politike nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës;

- Unë, Latif Gashi, jap dorëheqje nga pozita e deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Unë dëshiroj t'i falendëroj votuesit e mi, për besimin që ma dhanë, me votën e tyre, për të qenë deputet në Kuvendin e Koosvës në dy mandate. Unë do të vazhdoj të jam pranë elektoratit tim, edhe pasi të largohem formalisht prej sallës së Kuvendit të Kosovës.

Besimi që kishin qytetarët në mua ka më shumë vlerë se sa proceset e montuara gjyqësore. Për këtë arsye, i siguroj qytetarët, votuesit e mi, që pa marrë parasysh se ku do të gjendem fizikisht, se ku do të jap kontributin tim, unë do të jam pranë tyre. Do të punoj për ta dhe do të angazhohem për të.

Pa marrë parasysh këtë epizod të pakëndëshëm, unë do të vazhdoj të jam i përgjegjshëm edhe ndaj institucioneve të vendit tim. Do t'i respektoj vendimet e tyre, më pëlqyen ose jo mua.

Gjaku i dëshmorëve, i derdhur për ketë vend, gjymtyrët e humbura të invalidëve të luftës, lufta e veteranëve, sakrifica e qytetarëve, do të janë busulla ime jetësore.

Do të jam mirënjohes dhe falenderues ndihmës së madhe të aleatëve tanë, SHBA've, Gjermanisë, Francës, Anglisë dhe gjithë atyre që na ndihmuan në përpjekjen tonë për të pasur ketë shtet, që tash e kemi.

Me respekt,

Latif Gashi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat