Beqiri i shqetësuar me mjetet e gjetura në selinë e Vetëvendosjes

Lajme

Beqiri i shqetësuar me mjetet e gjetura në selinë e Vetëvendosjes

Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 16:19

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, është shprehur tejet i shqetësuar me ato që ka parë, duke iu referuara mjeteve që sot i ka prezantuar Policia e Kosovës, të cilat janë gjetur një ditë më parë në selinë qendrore të Vetëvendosjes.

Beqiri tha se nuk arrin ta kuptoj se si ka mundësi, që një parti politike të rrëshqasë në këtë nivel, duke e shndërruar selinë e saj në depo mjetesh luftarake, që kanë për synim lëndimin, frikësimin dhe rrezikojnë edhe vrasjen e ndonjë njeriu.

“Nga mediat e pashë se aty qenkan gjetur gazmaska, gazlotsjellës, mjete për shpimin e gomave, shufra metalike, substanca tjera të dyshuara. Kjo është e paimagjinueshme për mua. Si ka mundësi që një parti politike, në vitin 2015, bllokon punën e Kuvendit me mjete të dhunshme, heq dorë nga çdo debat publik dhe zgjedhë mjetet luftarake për të arritur marrjen e pushtetit”, tha Beqiri për mediat vendore.

Sipas tij, kjo qasje është për keqardhje dhe synon të zhys vendin në anarki e kaos, duke shprehur bindjen se qytetarët e Kosovës nuk do të lejojnë një agjendë të tillë.

“Kjo parti politike, kohë më parë ka hequr dorë nga forca e agrumentit dhe po përpiqet që me argumentin e forcës të arrijë pushtetin. Por, për fat të mirë, nuk e ka gjetur dhe nuk do të gjejë kurrë mbështetjen e qytetarëve të Kosovës, i cili me përkushtimin dhe vetëdijen e tij dhe përkahjen e miqve ndërkombëtar, e mposhti regjimin e Millosheviqit, e bëri shtetin e Kosovës dhe po ecën me vendosmëri drejt integrimeve euroatlantike. Ky vend, nuk do të jetë kurrë peng i kauzave revolucionare që synojnë totalisht të kundërtën e aspiratave të popullit të Kosovës”, tha Ismet Beqiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat