​Albin Kurti dyshohet për tri vepra penale

Lajme

​Albin Kurti dyshohet për tri vepra penale

Më: 28 nëntor 2015 Në ora: 18:31

Prokuroria e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media sqaron se deputeti Albin Kurti dyshohet se ka kryer veprat penale: Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm,përdorimi i armës, dhe pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare

Sipas Prokurorisë departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë deputetit Kurti i ka dërguar ftesa për t’u paraqitur në zyrën e prokurorit të çështjes, për të dhënë deklaratën e tij, lidhur me dyshimet që i vihen në barrë.

Mirëpo, i njëjti nuk i është përgjigjur ftesës së Prokurorit të Shtetit, andaj gjyqtari i procedurës paraprake me kërkesë të prokurorit të çështjes ka lëshuar urdhërarrest.

Policia e Republikës së Kosovës ka zbatuar sot urdhrin e Gjykatës dhe e ka sjellur të pandehurin Kurti në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, i cili ka refuzuar të jep deklaratën e tij para prokurorit të rastit.

Prokurori ka ushtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit Kurti dhe kjo kërkesë është parashtruar, pasi që i njëjti nuk iu është përgjigjur ftesës së prokurorisë, ka përsëritur kryerjen e veprës penale dh e ka qëndruar në arrati.

Prokurori i Shtetit siguron opinionin publik se është i vendosur që të respektoj të gjitha dispozitat ligjore për secilin rast, pavarësisht së kush është i dyshuar për vepër penale, duke respektuar dinjitetin e secilit individ, duke i trajtuar të gjithë në mënyrë të barabartë e të paanshme, përfshirë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe të arrestuarit tjerë të sotshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat