Opozita: Ditën e festës pushteti e ktheu në ditë të dhunës

Lajme

Opozita: Ditën e festës pushteti e ktheu në ditë të dhunës

Më: 28 nëntor 2015 Në ora: 18:09

Qytetarë të Kosovës, mbështetës të Opozitës së Bashkuar, bashkëkombas të nderuar.

Pjesëmarrja e mbi 35.000 qytetarëve në Manifestimin për Republikën shkoi paqësisht, siç ishte planifikuar. Por ky pushtet me sjelljet e tij menjëherë pas tubimit paqësor, dëshmoi se nuk e duron opozitën paqësore. Ky pushtet ka frikë nga opozita. Ky pushtet e urren opozitën, ashtu siç urren qytetarët, ashtu siç urren popullin e vet.

Qeveria kriminale zgjodhi 28 nëntorin e vitit 2015 për të ringjallur në rrugët e Prishtinës imazhin e dhunës policore, që populli ynë kujtoi se e kishte lënë pas, me mbarimin e Luftës Çlirimtare.

Në 28 nëntor, qindra policë, reparte speciale të armatosura rëndë, të maskuara, kanë thyer zyrat e subjektit më të madh opozitar, Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku ndodheshin qindra aktivistë që sapo ishin kthyer prej Manifestimit.

Policia u tregua e e pamëshirshme, duke përdorur dhunë të paparë kundër aktivistëve. Ka rreth 100 të arrestuar, dhe numri i të lënduarve rëndë është i madh.

Në 28 nëntor 2015 u arrestua Albin Kurti. Pushteti u tregua i gatshëm të përdorë dhunën më ekstreme për të mbrojtur Zajednicën e Demarkacionin, pavarësisht peticionit, pavarësisht aksioneve opozitare, pavarësisht Manifestimit paqësor për Republikën.

Më tej do t’ju njoftojmë në vazhdimësi për të arrestuarit, të lënduarit, e veprimet tona të radhës.

I bëjmë thirrje qytetarëve të bashkohen rreth opozitës së përbashkuar. Aksionet tona nuk mund t’i ndalë asnjë shtet policor, asnjë arrestim, asnjë dhunë. Aktivistët do të lirohen. Dhunuesit do të vihen shumë shpejt përpara një drejtësie së vërtetë dhe funksionale, në një Republikë që ka për të qenë vërtet sovrane dhe pavarur.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
NISMA për Kosovën

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat