Shtatë autobusë nisen nga Mitrovica në Prishtinë

Lajme

Shtatë autobusë nisen nga Mitrovica në Prishtinë

Më: 28 nëntor 2015 Në ora: 11:54

Shtatë autobusë nga Mitrovica me rreth 350 mbështetës të 'Vetëvendosjes' dhe partive tjera opozitare, janë nisur të organizuar të shtunën deri rreth orës 12:30 drejt Prishtinës.

Ata do t'i bashkohen protestës së sotme në kryeqytet, ndërsa kanë bartur flamuj kombëtarë.

Faruk Mujka, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, ka bërë të ditur për KosovaPess se 28 Nëntori është dita më e përshtatshme për të festuar, por njëkohësisht edhe që qytetarët të shprehin kundërshtimin e tyre kundër marrëveshjes për Zajednicën dhe demarkacionin me Malin e Zi.

“Data 28 Nëntor mendoj se është data më e përshtatshme të festojmë Festën Kombëtare, mirëpo në të njëjtën kohë edhe të shprehim protestën tonë në lidhje me marrëveshjen e dëmshme për Kosovën siç është nënshkrimi i marrëveshjes mbi zajednicën dhe mënyrën se si është bërë demarkacioni i kufirit me Malin e Zi… Asesi, ne kemi thënë se ky është manifetim popullor dhe manifestimet e tilla nuk ka gjasa të kthehen në dhunë, posaçërisht kur shumica prej nesh do të jetë aty me familjet tona”, ka thënë Mujka.

Edhe Fidan Ademi, aktivist i kësaj Lëvizje, ka potencuar se shumica e qytetarëve do të shkojnë sot në Prishtinë bashkë me familjet e tyre, për të marr pjesë në një protestë paqësore, me mesazhin për një Kosovë të pavarur dhe sovrane.

“Sot ne po shkojmë për 28 Nëntorin në sheshin Zahir Pajaziti për me shpreh vullnetin tonë për një Kosovë të pavarur, sovrane dhe për një Kosovë Republikë… Sot është manifestim paqësor, do të shkojmë të gjithë me familje, të gjithë qytetarët që mendojnë ndryshe, që ky vend duhet të jetë i pavarur dhe sovrandhe në bashkëveprim me 28 Nëntorin, në njëfarë fryme ne do ta përçojmë mesazhin tonë”, theksoi Ademi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat