Kartmonedha e re në qarkullim! (Foto)

Lajme

Kartmonedha e re në qarkullim! (Foto)

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 21:18

Banka Qendrore Evropiane zëvendëson kartmonedhat e brezit të parë të Euros. Pas 5 dhe 10 Eurove tani hidhet në qarkullim edhe kartmonedha e re e 20 Eurove. Ajo do të jetë më e sigurtë ndaj falsifikimeve.

Kartmonedha e re 20 Euro në qarkullim nga 25.11
Monedha e përbashkët europiane, Euro, u hodh në qarkullim para 20 vitesh. Kartmonedhat e brezit të parë po zëvendësohen hap pas hapi që prej më shumë shumë se 2 vitesh. Këtë të mërkurë do të futet në qarkullim kartmonedha e re 20 Euro. 5 Euro e re qarkullon që nga maji 2013, ajo me vlerë 10 Euro që nga shtatori 2014. Dalëngadalë do të zëvendësohen edhe karmonedhat me vlerë më të lartë.

Në qarkullim kartmonedha të reja dhe të vjetra
Fillimisht në qarkullim do të jenë si karmonedhat e vjetra ashtu edhe të rejat. Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka në plan t’i heqë ato gradualisht nga qarkullimi. Në plan afatgjatë ato do ta humbasin statusin si mjet pagese. Se kur do të vijë dita, këtë Mario Draghi, presidenti i BQE, dhe ekipi i tij ende nuk e kanë deklaruar.

Kartmonedha falso më e preferuar
Sipas Bankës Federale 20 Euro është kartmonedha falso më e përhapur deri tani: katër nga pesë të tilla në Gjermani mbajnë shifrën 20. Kartmonedhat e reja Euro do të jenë më të sigurta se të mëparshmet ndaj falsifikimeve. 20 Euro e re përmban shumë elemente të reja dhe të përmirësuara sigurie.

Europa në seri
Një element i ri sigurie i 20 Euros së re është një hologram i tejdukshëm. Nëse e mban kartmonedhën përpara një burimi drite, një portret i Europës do të shfaqet në anën e përparme dhe të pasme të kartmonedhës. BQE i quan kartmonedhat e reja “Seria e Europës”. Figura mitologjike që i jep emrin kontinentit, shfaqet vazhdimisht tek kartmonedhat, mes të tjerash si shenjë uji.

Ngjyrë smerald dhe reliev
Një element tjetër sigurie i kartmonedhës së re është shifra e smeraldit, siç quhet – shifra 20, e cila e ndryshon ngjyrën e saj nga e gjelbër smeraldi në blu të errët dhe mbi të cilën, nëse e kthen kartmonedhën më një anë, lëviz një shirit drite. Buzët e kartmonedhës së re si dhe një 20 e madhe, e cila shihet lart në qendër, kanë reliev, i cili mund të ndihet duke e prekur me gisht.

Më shumë ngjyra dhe tis të verdhë
Së jashtmi, kartmonedha e re 20 Euro ka ndryshuar shumë pak. Ngjyra blu e kartmonedhës së brezit të parë ishte më e çelët dhe nuk kishte refleksin e verdhë në anën e pasme. Në karmonedhën e re, fjala „Euro“ është vendosur jo vetëm në shkrimin latin dhe grek, por edhe në atë cirilik, dhe akronimin „BQE“ e gjejmë tashmë në tetë gjuhë dhe jo vetëm në pesë si deri tani.

Arkitektura si motiv kryesor
Motivi kryesor i karmonedhave euro, „epoka dhe stile“, ruhet edhe në brezin e ri të tyre. Kartmonedhat përmbajnë të njëjtat figura arkitekturore të epokave të ndryshme. Kështu 20 Euro e re tregon përsëri një fasadë gotike, kurse në 10 Euron e re vazhdon të jetë një hark porte i stilit roman.

17 miliardë kartmonedha
Euroja është valuata zyrtare për pothuajse 340 milionë njerëz në 19 vende evropiane. Rreth 17 miliardë kartmonedha Euro janë aktualisht në qarkullim – me një vlerë totale prej rreth një mijë miliardë Eurosh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat