Amerikanja Carrie Hooper, na uron Festën e Pavarësisë…

Lajme

Amerikanja Carrie Hooper, na uron Festën e Pavarësisë…

Nga: Nga: Murat Gecaj Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 20:47

Amerikanja Carrie Hooper, megjithëse e verbër, e ka mësuar shqipen për dy vjet, kryesisht në mënyrë të pavarur. Ajo flet, shkruan e thurë poezi dhe këndon në gjuhën tonë amtare. Është domethënëse këshilla e saj, për bashkatdhetarët tanë në SHBA: “Ruajeni gjuhën shqipe!”

1.
Në këto radhë, dëshiroj t’u tregoj lexuesve se, në shtator të vitit 2013, mora një mesazh nga Amerika, i cili më befasoi. Atë ma dërgonte, nga Nju Jorku, zj.Carrie Hooper. Siç e përshkruante vetë aq mirë, megjithëse e vërbër, ajo ka një veprimtari mjaft të dendur. Po kështu, në mesazhin e saj tregonte se, ndërmjet vendeve të huaja, që ajo nderon e vlerëson shumë, është Shqipëria. Gjithashtu, nënvizonte se, nga 9 gjuhët, që ka mësuar në largësi, është gjuha jonë amtare. Nga sa kam lexuar unë, sidomos në Internet, Carrie Hooper e nisi lidhjen me shqiptarët dhe njohjen e Atdheut tonë, që para vitit 2008.

Ja çfarë shkruante ajo, ndër të tjera, në mesazhin e parë të saj:

“Jam amerikane, pa asnjë prejardhje shqiptare. Jam krejt e verbër, që nga lindja dhe punoj pedagoge e gjermanishtes dhe italishtes, tek Elmira College, në qytetin tim të lindjes. Më tej, jap piano dhe kanto, në shtëpinë time dhe jap koncerte vokale , në vende të ndryshme. Përveç kësaj, këndoj në dy kore dhe i bie pianos. Më pëlqen të mësoj gjuhë të huaja dhe, përveç italishtes dhe gjermanishtes, kam mësuar suedisht, spanjisht, pak finlandisht, pak frëngjisht, pak rusisht, dhe latinisht.

Para pesë vjetësh fillova ta mësoja gjuhën shqipe, pasi kisha një student nga Shqipëria, në kursin tim të italishtes. Në fillim, përdora një libër në brail dhe pastaj dëgjova një kasetë, me përralla në shqip. Gjithashtu ,bleva një fjalor shqip-anglisht, që një grua e transkriptoi në brail, për mua. Në verën e vitit 2009 dhe në verën e vitit 2010, ndoqa kurse të gjuhës shqipe, te Arizona State University, në Tempe të Arizonës.

Shkruaj poezi shqip dhe disa nga poezitë e mia janë botuar në Gazetën “Dielli”, si dhe në revistën “Kuvendi “,që botohet në shtetin e Michiganit. Më tej, kam shkruar artikuj për Gazetën “Dielli”. Gjithashtu, kam dhënë intervista për Radio Kosovën, për Radion “E diela”, një program ,që transmetohet në Toronto të Kanadasë, për emisionin “Shqiptarët e Amerikës”, me gazetarin kosovar Qazim Doda, si dhe për Gazetën “Dielli” e për gazateren Rajmonda Moisiu. Për më tepër, kam kënduar për veprimtari të organizuara nga bashkësitë shqiptare: në Nju Jork, Detroit dhe Toronto…

Gjuha shqipe është gjuha ime e preferuar dhe i dua shumë shqiptarët, sepse kanë ngadhënjyer dhe mbijetuar, me gjithë kushtet e rënda gjatë historisë së tyre. E adhuroj shumë mikpritjen e shqiptarëve. Do të dëshiroja ta vizitoja Shqipërinë. Nga: Carrie Hooper (e-maili: [email protected])”.

2.
Që nga ajo kohë, pra më shumë se dy vjet më parë, ne nuk e kemi ndërprerë lidhjen tonë, përmes Internetit. Mikja amerikane vazhdimisht më ka shkruar për punët dhe veprimtaritë e saj të pandërprera. Përveç njoftimeve në adresësn time, e ka zgjeruar rrethin e miqëve shqiptarë. Kështu, këto ditë ajo dërgoi një mesazh edhe për disa miq të tjerë. Këta janë: Linda Meniku, Piro Milkani, Petrit Ruka, Zyba Hysa, Ndue Ukaj, Flora Durmishi e Gëzim Rexha.
Ajo tregonte aty për jetën dhe pjesëëmarrjen e saj, në veprimtaritë e zhvilluara gjatë muajit tetor të këtij viti. Ndërsa, ndjeva kënaqësi të veçantë, kur në fund të tij lexova urimin e saj të sinqertë, për Ditën tonë të Flamurit Kombëtar, gjë që ajo e ka bërë edhe në vitet e mëparshme.

Për kureshtjen e lexuesve, më poshtë po shënoj pjesë, nga mesazhi i zj.Carrie Hooper:

“Përshëndetje!...Në mëngjesin e 3 tetorit, prindërit e mi më çuan me makinë te Lutheran Church of the Reformation, në Rochester, Nju York dhe mbërritëm atje rreth mesditës. Kur mbërrita, organisti për shërbesën në gjermanisht dhe unë studiuam pjesët, për të cilat do të më shoqëronte dhe gjithëka doli bukur. Pastaj Max Scheibel, anëtar i kishës, dhe unë hëngrëm një drekë të shijshme, që e kishte përgatitur pastorja e kongrgatës angleze. Pas drekës, Max më çoi me makinë te studioja, ku Georg Hoffmann prezanton programin e tij javor, në gjermanisht dhe në anglisht. Zoti Hoffmann më intervistoi në gjermanisht dhe anglisht dhe përmendi faktin që do të këndoja në të dyja shërbesat. Pas intervistës, Max dhe unë shkuam te Strong Museum of Play, që u emërua për Margaret Strong, një grua e pasur, që mblidhte lodra… Pasi u larguam nga muzeumi, Max dhe unë shkuam te motra e tij, Dora dhe unë kalova natën atje. Dora na përgatiti një darkë të mirë dhe biseduam një copë herë. Pra, kaluam një mbrëmje të bukur bashkë.

Të dielën, më 4 tetor, pas mëngjesit, Dora më çoi me makinë te “Reformation Lutheran Church”, ku studiova me organistin për shërbesën angleze. Në shërbesën në gjermanisht këndova dy këngë në atë gjuhë dhe një këngë në latinisht. Në shërbesën në anglisht këndova tre këngë, po në këtë gjuhë. Këngët dolën shumë bukur dhe mjaft njerëz më uruan. Babai im më mori pas shërbesave dhe u kthyem në shtëpi.

Të mërkurën, me 7 tetor, babai im dhe unë ndoqëm një koncert të një ansambli nga Gjermania, i cili drejtohej nga Harmonic Brass, Ky kishte dy tromba, një trombon, një corno dhe një tubë dhe një anëtar i ansamblit i binte trumpetës, gjithashtu. Në fakt, ai i ra në pjesën përfundimtare të programit. Grupi paraqiti pjesë të shumëllojshme dhe koncerti i tyre na pëlqeu shumë. Pas koncertit fola gjermanisht me disa anëtarë të ansamblit, gjë kjo që më kënaqi shumë.

Të shtunën, më 24 tetor, mora pjesë në turin vjetor të organizuar nga dega vendore e Shoqatës Amerikane të Organistëve. Besoj se pothuaj dhjetë veta morën pjesë në këtë veprimtari. Udhëtuam për në qytezën e Ëatsontoën, Pennsylvania dhe vizituam John dhe Roberta Ravert, një çift që mbledh vegla muzikore mekanike… Në studion e Zoti Ravert, këndova një këngë dhe Dan LaBar, një organist dhe mësues i pianos, më shoqëroi me atë vegël muzikore. Më tej preka pjesa të dy nickelodian dhe pashë një bombulë druri. Zoti Ravert na shpjegoi se një piano mekanike mori zjarr por për fat të mirë mund të shpëtonte shumica e veglave në studio.

Pasi kishim parë studion e Zoti Ravert, shkuam në dhomën në të cilën rindërton vegla mekanike. Degjuam disa organo dhe një nickelodian. U kënaqa shumë te Raverts. Pas vizitës te shtëpia e Raverts, drekuam në një restorant të vogël në Ëatsontoën. Pastaj vizituam Trinity United Church of Christ ku Zoti Ravert punon si organist…Kështu, kalova një ditë shumë të bukur.

Të dielën, më 25 tetor, shkova në një mbledhje, te shtëpia e kryetares së degës së gjuhëve të huaja, dr. Lauren Shaë. U njoha me profesorët e rinj të gjuhëve kineze dhe japoneze, të Elmira College. Më tej, profesori i studimeve aziatike, gruaja e tij, Hiroko (nga Japonia) dhe djali i tyre i vogël, Sage morën pjesë. Përveç kësaj, erdhi profesori i kursit fillestar të spanjishtes. Biseduam shumë dhe hëngrëm ushqime të shijëshme.

Të marten, më 27 tetor 2015, Tony Cicariello (studenti im i kantos, që i bie fizarmonikës), Bob Melnyk (që i bie fisarmonikës), Bob Ivers (që i bie mandolinës) dhe unë, paraqitëm një koncert me muzikë italiane, te spitali “Saint Joseph”, në Elmira. Koncerti ynë u pëlqeu të gjithëve.

Tani po e mbylli, duke ju uruar nga zemra:

Gëzuar Ditën e Flamurit! Gjitha të mirat, për ju dhe tërë popullin shqiptar!

Të fala: Carrie Hooper,
Nju Jork, nëntor 2015”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat