Tensioni mes Ankarasë dhe Moskës

Lajme

Tensioni mes Ankarasë dhe Moskës

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 20:33

Tensionet vazhdojnë të jenë të larta mes Ankarasë dhe Moskës pas rrëzimit të avionit luftarak rus pranë kufirit turko-sirian në fillim të javës.

Në një intervistë me rrjetin CNN, presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, tha se vendi i tij nuk do të kërkojë falje për rrëzimin e avionit.

Janë ata që shkelën hapësirën tonë ajrore që duhet të kërkojnë falje, tha ai.

Komentet e zotit Erdogan erdhën pas deklaratave të presidentit rus Vladimir Putin, i cili e quajti rrëzimin e avionit një "goditje krejtësisht të pashpjegueshme dhe thikë pas shpine, nga ata që siç u shpreh ai, besohet të jenë partnerët dhe aleatët tanë në luftën kundër terrorit." Zoti Putin përsëri këmbënguli se avioni u rrëzua në hapësirën ajrore siriane.

Ndërkaq, Presidenti turk Edogan hodhi poshtë akuzat ruse se ka blerë naftë dhe gaz nga Shteti Islamik ndërsa Rusia bëri të ditur se do të shtojë kufizimet për mallrat ushqimore që importohen nga Turqia.

Duke folur me zyrtarët në Ankara, zoti Edogan tha se lufta e vendit të tij ndaj xhihadistëve islamikë është e padiskutueshme. Ai kërkoi prova lidhur me akuzat për tregti me militantët. Qendrimi i vendit tonë kundër ISIS-it, tha ai, ka qënë i qartë që nga fillimi. Ai tha se Turqia po merr masa për të ndalur trafikun ilegal të naftës në kufi, e cila ka qënë burim i rëndësishëm të ardhurash për grupin militant.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat