Azem Syla ka një mesazh për të gjithë komandantët e UÇK-së

Lajme

Azem Syla ka një mesazh për të gjithë komandantët e UÇK-së

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 18:06

​Ish-komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla ka lutur të gjithë komandantët e UÇK-së që t‘i shikojnë me kujdes edhe njëherë të gjitha dokumentet e dëshmitë, që të mos jetë veteran, invalid a dëshmor, dikush që nuk e meriton.

Syla në një opinion ka shkruar se komandantët e njësive dhe Zonave Operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e kanë në dorë ta ruani pastërtinë e kësaj ushtrie, që të mos ketë asnjë ndërfutje të njerëzve që nuk duhet të jenë në këta rreshta luftëtarësh të lavdishëm.

Ja opinioni i plotë i Azem Sylës

Historia të bëhet sipas të vërtetës

Po dëgjoj e lexoj shumë qëndrime e akuza për vlerësimin e dokumentacionit të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga KomisionetZonale, për të cilët flitet me një gjuhë që është shumë e rëndë dhe që nuk i bën nder luftës dhe luftëtarëve. Gjuhë që mund të ketë arsye, por që në hapësirën më të madhe është edhe keqdashëse, apo një gjuhë ku gjithçka shihet vetëm bardh e zi.

Nuk dua të përdor adresa për këtë çështje, por vlerësoj se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës është e s henjtë dhe këtë shenjtëri e përfitojnë të gjithë ata që janë rreshtuar në radhët e saj. Prandaj edhe pastërtia e saj duhet të jetë e paprekshme. Askush nuk mund e nuk duhet të hedhë baltë mbi këtë shenjtëri kombëtare që e kemi.

Apeloj tek të gjithë komandantët e të gjitha niveleve të strukturave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që t’i verifikojnë me kujdes dokumentacionet dhe dëshmitë e të gjithë luftëtarëve, duke përfshirë edhe ata që në këtë luftë kanë mbetur invalidë, si dhe ata që kanë rënë në altarin e lirisë dhe kanë marrë statusin e dëshmorit, që të mos kemi asnjë ndërfutje të te pamerituarve, pasi njolloset figura e luftëtarëve, e Ushtrisë dhe e Luftës Çlirimtare.

Unë e vlerësoj këtë luftë si më madhoren në historinë e Kosovës e ndër vlerat më madhore kombëtare. Si e tillë ajo nuk duhet të njolloset për asnjë lloj interesi të kujtdo qoftë.

Unë kuptoj që në gjithë këtë thashethemnajë ka edhe shumë të pa vërteta e deklarime të atyre që nuk kanë arritur të depërtojnë në vlerat e kësaj lufte. Por, shqetësimi imdo të ishte sikur në një pjesë të këtyre deklarimeve të dalin të vërteta.

Nëse në procesin e vlerësimeve të mëtutjeshme do të dalin shkelje, do të dalin pranime dokumentesh të njerëzve që nuk kanë qenë pjesë e luftës, apo më keq akoma, të njerëzve që deri dje kanë hedhur baltë mbi këtë luftë, do të jetë një dëm i madh që i bëjmë asaj vepre ku u rreshtuam për të dhënë jetën tonë.

Do të dëshiroja që gjithçka e cila thuhet për padrejtësitë e vlerësimit të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si veteranë, invalidë e dëshmorë, të jenë të pa vërteta. Por vërtetësia duhet të arsyetohet, jo me propagandë, por me dokumente e me dëshmitarë dhe me procese gjyqësore nëse është nevoja.

Unë e di se kjo ushtri ka qenë shumë e madhe , pasi ajo ka lindur nga qytetarët e vendit tonë dhe është vlerë e tyre. Nga ta na është gatuar buka, na janë dhënë ndihmat, na është bërë financimi, na është hapur dera, na është treguar rruga, na është ruajtur fshehtësia, është dhënë morali,është ruajtur uniteti etj.

Por në rastin konkret flitet vetëm për ata luftëtarë, që kanë qenë të rreshtuar në evidencat e Ushtrisë Çlirimtare dhe kanë marrë e zbatuar urdhrat luftarakë, për të plotësuar detyra në interes të suksesit të betejave, të operacioneve e të luftës në tërësi. E parë në këtë këndvështrim, mendoj se nuk është e vështirë të saktësohen luftëtarët e të mos mund të ketë depërtime të te pamerituarve.

Të dashur komandantë të njësiteve, Njësive e Zonave Operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ju e keni në dorë ta ruani pastërtinë e kësaj ushtrie, që të mos ketë asnjë ndërfutje të njerëzve që nuk duhet të jenë në k ëta rreshta luftëtarësh të lavdishëm. Ju lus t‘i shikoni me kujdes edhe njëherë të gjitha dokumentet e dëshmitë, që të mos ndihemi me turp se kemi bërë luftëtar, veteran, invalid a dëshmor, dikë që nuk e meriton.

Thonë që historinë e bëjnë fitimtarët e me këtë rast edhe mund të gabojmë, por kështu mund të flitet për diktaturat. Kjo nuk ndodh në kushtet e demokracisë. Historia bëhet vetëm sipas të vërtetës, pasi edhe kur duan fitimtarët ta bëjnë si të duan ata, nuk të lënë të tjerët që gërmojnë deri në themel derisa të gjejnë të vërtetën.Kam shumë dëshirë tëbesoj se kemi bërë apo të bëjmë një punë të pastër që as pas një shekulli mos të gjendet diçka që nuk është bërë mirë në vlerësimet tona. Gjithnjë e vërteta del në shesh, prandaj edhe dua që nevetë ta nxjerrim këtë të vërtetë e jo të na e zbulojnë të tjerët.

Le të flasin sa të duan ata që gjithë kohën e kanë harxhua r duke shpifur e sharë luftën tonë e luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të tillët, atë e kanë mision e detyrë, që nuk dihet kush ua ka ngarkuar. Por kur flasin luftëtarët, duhet të ndalemi, të kthejmë kokën prapa e të shikojmë a mos kemi gabuar diku. T’i thërrasim këta luftëtarë të pakënaqur e t’i dëgjojmë me vëmendje e durim, duke marrë në konsideratë gjithçka që ata thonë dhe të bëjmë korrigjimet e nevojshme. Nëse vlerësojmë se kemi gabuar ose t’i bindim me dokumente që nuk ka vend për pakënaqësitë e tyre.

Nuk dua të mendoj se dikush nga komandantët ka gabuar me vetëdije. Nëse do të ketë raste të tilla, ato vërtetë janë të turpshme.

Të gjithë duhet të jemi transparent, për të qartësuar çdo veprim që kemi bërë, çdo firmë që kemi hedhur, çdo vlerësim që kemi dhënë për çdo individ.

Çmoj punën e madhe që kanë bërë komisionet, kryesisht Komisioni Qendror i Vlerësimit të Veteranëve, që ka punuar në selektimin e një dokumentacioni voluminoz, me mjaft probleme e përplasje, duke bërë që të kurorëzohet një evidencë, të cilën tashmë e kemi dhe duhet ta saktësojmë me punën e pastër të komandantëve të te gjitha niveleve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i dhënë secilit vlerën që ka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat