Një ndërmjetësues i huaj për zhbllokimin politik në Kosovë

Lajme

Një ndërmjetësues i huaj për zhbllokimin politik në Kosovë

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 16:52

Propozimi i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa që të themelohet një komision për vlerësimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi dhe propozim-marrëveshja e deputetëve Vjosa Osmani e Ilir Deda për tejkalimin e bllokadës institucionale, nga analistët politik shihen si pikënisje e mirë për vendosjen e një dialogu ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Por, sipas tyre, që idetë e reja të diskutohen, do të ketë nevojë edhe për një ndërmjetësim nga faktori i jashtëm politik.

Për publicistin Belul Beqaj, propozimet e fundit mund të shihen si gatishmëri për dialog.

Por, rikthimi i besimit ndërmjet pozitës dhe opozitës, sipas tij, mund të ndodhë vetëm nëse ka edhe vullnet politik.

“Pozita duhet ta kuptojë se arroganca e saj nuk mund të përfundojë siç po kërkon. Ndërkaq injoranca dhe një lloj vandalizmi specifik i opozitës nuk është në favor të zgjidhjes politike. Të gjithë duhet të synojnë atë që është nevojë, kërkesë e interes i qytetarëve, e ky është stabiliteti dhe gjetja e zgjidhjes për çështjet që kanë qenë shkas i konflikteve të deritashme”, ka thënë Beqaj.

Në anën tjetër, analisti i Institutit Demokratike të Kosovës, Albert Krasniqi thotë se propozimi i deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani dhe i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda, është bazuar në një model tashmë të njohur në Kosovë i cili ishte zbatuar në kohën e ngërçit politik kur Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar shkelje me rastin e zgjedhjes së presidentit.

Ai thotë se propozimi i këtyre dy deputetëve ka nevojë për diskutim dhe plotësime, sidomos në asketet e vlerësimit të kushtetutshmërisë së Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Aty ka disa pika të cilat kanë pengesa në hapa. Nuk mundet që një lëndë e cila është gjykuar nga Gjykata Kushtetuese dhe për të cilën jepet vendimi, të kaloj më pastaj tek Komisioni i Venedikur si një masë e dytë. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të formës së prerë pavarësisht opinionit që do ta jepte më pastaj Komisioni i Venedikut”, ka vlerësuar Krasniqi.

Sipas tij, ky “është një propozim i cili me disa propozime mund të gjej një zbatim, por mungon një shtytës, një iniciator i cili do të mund t’i ulte palët për ta diskutuar”, siç ndodhi me ngërçin politik, kur ndërmjetës ishte ambasadori amerikan, Christofer Dell.

Ndërkaq, në lidhje me propozimin e kryeministrit Isa Mustafa që të formohet një komision për demarkacionin me Malin e Zi, Albert Krasniqi thotë se formimi i këtij trupi është mëse i domosdoshëm.

“Një Komision për demarkacionin është i nevojshëm për të sqaruar, sidomos para qytetarëve nëse po humbet një territor i Koosvës ose jo dhe me gjithë kontestimet që i janë bërë komisionit të mëhershëm për demarkacionin, mendoj se është mirë të formohet ky komision i ri”, ka thënë Krasniqi.

Përkundër faktit që në skenë tashmë ka dy ide se si të fillojë zgjidhja e problemeve politike, Belul Beqaj vlerëson se ato nuk mund të vihen në tavolinën e diskutimeve nga faktori i brendshëm politik, i cili ka humbur kredibilitetin.

“Përkundër synimit kryesor që patën ndërkombëtarët që t’i pavarësojnë pushtetarët e Kosovës për veprime të pavarura, fatkeqësisht edhe pas 15- 16 viteve, mendoj që zgjidhja eventuale për tejkalimin e kësaj nyje duhet kërkuar nga jashtë, konkretisht nga SHBA-ja ose Gjermania”, ka theksuar Beqaj.

Sidoqoftë, me gjithë propozimet e dëgjuara, analistët nuk shohin ende ndonjë vullnet politik tek subjektet parlamentare që të përfshihen në një dialog serioz për tejkalimin e gjendjes, e cila sipas tyre, me shumë nuanca i ngjanë një krize artificiale që po e krijojnë vet partitë politike për interesa të caktuara.

Opozita ka bojkotuar dhe bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës për më gjatë se dy muaj, duke kërkuar që kryeministri dhe Qeveria e Kosovës të tërhiqen nga marrëveshjet me Serbinë, sidomos ajo për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin.

Pa tërheqjen nga këto marrëveshje, tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma për Kosovën, janë zotuar se nuk do të ndalen, qoftë përmes bllokimit të institucioneve apo edhe protestave në rrugë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat