Edhe Ferizaj me aksion për 28 Nëntorin e Prishtinës

Lajme

Edhe Ferizaj me aksion për 28 Nëntorin e Prishtinës

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 15:10

Opozita e bashkuar të enjten në Ferizaj ka organizuar një aktivitet, përmes së cilit u ka bërë thirrje qytetarëve të Ferizajt që të jenë pjesë e manifestimit që do të mbahet me 28 Nëntor në Prishtinë me moton "Manifestojmë për Reaublikën".

Me këtë rast drejtuesit e degëve të VV-së, AAK-së dhe Nismës për Kosovën, kanë thënë se 28 Nëntori është festë mbarëkombëtare, por që kësaj radhe në Kosovë ka edhe karakterin e protestës në kundërshtim të dy marrëveshjeve të dëmshme për shtetin tonë.

Kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, Emrush Xhemajli, ka thënë se ky aktivitet por edhe protesta që do të mbahet në Prishtinë janë vazhdimësi e bërjes së shtetit të Kosovës .

“28 Nëntori i vitit 1912, nuk ka qenë fundi, por fillimi i bërjes së shtetit në të cilën rrugë ne po ecim tani. Këtë rrugëtim do ta vazhdojmë edhe më tutje, deri sa populli shqiptar të bashkohet në një shtet të vetëm”, ka thënë Xhemajli.

Ndërsa, kryetari i degës së AAK-së, Xhavit Zariqi, ka thënë se nga këtu fillon organizimi për manifestimin qendror dhe përmes këtij aksioni simbolik po shprehim kundërshtimin tonë ndaj dy marrëveshjeve të fundit me Serbinë.

Ai u ka bërë thirrje ferizajasve që me 28 Nëntor t'i bashkohen thirrjes në mbrojtje të Republikës së Kosovës dhe në shënimin e Ditës së Flamurit. Të njëjtin mesazh apeli e ka bërë edhe kryetari i degës së Nisma për Kosovën, Valon Ramadani, i cili ka thënë se vetëm të bashkuar do t'ia dalin që ta ruajnë Republikën e Kosovës nga skenarët e këqij që po i përgatitën.

Aksioni i opozitës përveç performancës dhe thirrjes për të marrë pjesë në protestën e 28 Nëtorit, ka vazhduar edhe me një marrsh simbolik nëpër rrugët kryesore të qytetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat