Kryeministri i Landit të Bavarisë: Krijuam mundësi të punësimit të shqiptarëve në Gjermani

Lajme

Kryeministri i Landit të Bavarisë: Krijuam mundësi të punësimit të shqiptarëve në Gjermani

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 14:54

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të vizitës në Landin e Bavarisë, ka marrë pjesë sot në një takim të organizuar në Munih nga Shoqata Ekonomike e Bavarisë, ku ishin të pranishëm përfaqësues të bizneseve bavareze.

Në takim, ishin të pranishëm edhe ministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami, ministri i MZHE-së Blerand Stavileci dhe ministri i MPMS-së, Arban Abrashi, të cilët prezantuan në detaje kushtet e favorshme, resurset ekonomike dhe mundësitë e mëdha që ofron Kosova për investime të huaja.

Bertram Brossardt, drejtues kryesor i Shoqatës Ekonomike të Bavarisë, foli për mundësitë e investimeve nga Bavaria në Kosovë, duke shprehur gatishmërinë e kësaj shoqate që të ndihmojë në këtë drejtim.

Kryeministri Mustafa, para të pranishmëve të shumtë, ka prezantuar një pasqyrë të shkurtër kushteve ekonomike në Kosovë.

Kryeministri Mustafa, vlerësoi investimet e konsiderueshme gjermane në Kosovë, duke bërë të ditur se Gjermania zë vendin e parë sa i përket investimeve dhe përkrahjes tepër të madhe për Kosovën, në të gjitha fazat.

Mustafa, po ashtu, theksoi se investimet gjermane kryesisht kanë qenë në sektorin bankar, duke bërë të ditur se tashmë është ndërtuar një sektor shumë i fuqishëm dhe shumë stabil, i cili gjithnjë e më tepër po i përshtatet nevojave të ekonomisë.

Sipas tij përparësi e Kosovës është edhe pjesëmarrja shumë e ulët e borxhit të jashtëm në GDP, i cili nuk arrin as 10 për qind të bruto produktit vendor. “

Kryeministri Mustafa bëri të ditur synimin e Qeverisë së Kosovës për investime në sektorin e prodhimit, në përpunimin dhe finalizimin e produkteve bujqësore.

Ai po ashtu tha se Qeveria e Kosovës është e interesuar që të ketë investime në fushën e energjetikës, në fushën e minierave dhe mineraleve, në shfrytëzimin e tyre dhe finalizimin e tyre dhe po ashtu edhe në konceptimin e mënyrës se si të zhvillohen këta sektorë, duke theksuar gatishmërinë për bashkëpunim me bizneset gjermane në këtë drejtim.

Duke folur për nënshkrimin e Marrë veshjes së Stabilizim Asociimit, kryeministri Mustafa e quajti shans të madh i cili do të bëjë që të ketë prezencë të produkteve kosovare në tërë tregun e BE-së.

Duke folur për infrastrukturën bazike, kryeministri e quajti përparësi të madhe, duke i njoftuar për projektet në këtë drejtim. “Është fjala për infrastrukturën rrugore, për infrastrukturën hekurudhore, për aeroportet të cilat lidhin kryeqytetet e vendeve tona, dhe në këtë aspekt jemi të bindur se e gjithë ajo infrastrukturë që po ndërtohet tek ne, po bëhet sipas standardeve evropiane”, tha kryeministri Mustafa.

Përfaqësuesit e bizneseve në këtë takim, kanë shtruar pyetje dhe kanë marrë përgjigje nga kryeministri Mustafa dhe ministrat prezentë për shumë çështje që lidhen me kushtet dhe mundësitë e investimeve në Kosovë, infrastrukturën ligjore dhe aspektet tjera infrastrukturore, si dhe çështjet tjera që lidhen me ambientin e të bërit biznes në Kosovë.

Gjatë ditës, kryeministri Mustafa dhe delegacioni qeveritar i Kosovës kanë vizituar Kompaninë BMW World, ku u takuan me drejtuesit e kësaj kompanie si dhe kompaninë MAN AG, që prodhon kamionë për tregun botëror.

Gjatë takimeve, kryeministri Mustafa u informua për proceset e prodhimit dhe të arriturat e këtyre dy kompanive me renome, ku ka kërkuar nga drejtuesit e tyre që të shqyrtojnë mundësitë për investime dhe hapje të ndonjë linje prodhuese në Kosovë, duke prezantuar kushtet e favorshme që ofron Kosova, në shumë aspekte.

Kryeministri Isa Mustafa u takua në Munih edhe me diplomatin e shquar gjerman, Wolfgang Ischinger.

* * * *
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është pritur sot nga kryeministri i Landit të Bavarisë, Horst Seehofer.

Pas pritjes dhe takimit të zhvilluar në Qeverinë e Landit të Bavarisë të dy kryeministrat kanë mbajtur një konferencë për gazetarë ku kanë shprehur përkushtimin e dyanshëm për bashkëpunim ekonomik.

Kryeministri i Landit të Bavarisë, Horst Seehofer ka vlerësuar marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve, si dhe qëllimin që këto marrëdhënie të zhvillohen edhe më shumë, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik.

Seehofer bëri të ditur se gjatë takimit është biseduar për mundësinë e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës, mundësinë e punësimit të tyre në Gjermani, dhe se në cilat drejtime mund të zhvillohet ky punësim dhe kjo lëvizje.

“Marrëdhëniet tona janë të mira, dhe që të dyja palët do të përpiqemi që t’i përmirësojmë, dhe t’i zhvillojmë akoma më tej këto marrëdhënie”, tha kryeministri Seehofer.

Sa i përket çështjes së migrimit të qytetarëve të Kosovës, kryeministri Seehofer tha se kryeministri Mustafa e ka shprehur në mënyrë shumë të qartë që Kosova është një vend i sigurt i origjinës.

“Nga pikëpamja ekonomike do të bashkëpunojmë më ngushtë me njëri-tjetrin, dhe do të ndihmojmë për investime dhe për kualifikime më Kosovë. Dhe së treti, ne kemi krijuar mundësi reale të punësimit të qytetarëve të Kosovës në Gjermani. Kjo ka ndodhur ndërkohë, dhe këto mundësi legale janë në interes të dy vendeve. Kjo është pamja e një bote të globalizuar”, tha kryeministri Seehofer, transmeton Klan Kosova.

Kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar lartë rolin e Bavarisë për një periudhë shumë të gjatë të qëndrimit dhe të punës së njerëzve nga Kosova.

Ai po ashtu tha se Qeveria e Kosovës përkrahë plotësisht masat që Bavaria ka marrë në kthimin e qytetarëve të Kosovës që kanë ardhur dhe kanë kërkuar azil.

“Konsiderojmë se Kosova është vend i sigurt, origjinë e sigurt, dhe që ne do të sigurojmë kushte që ata të kthehen dhe të punojnë atje. Kthimin e tyre e konsiderojmë shumë të drejtë dhe të nevojshëm dhe ne do të marrim masa që të bashkëpunojmë në fushën e ekonomisë, në mënyrë që të sigurojmë parakushte që njerëzit ta kenë perspektivën në Kosovë. Unë e vlerësoj shumë përkrahjen e juaj për bashkëpunim ekonomik në mes të Kosovës dhe Bavarisë. Ajo është gjëja që neve na nevojitet më së shumti në këtë kohë, sepse dëshirojmë që ne të jemi vend i cili do të inkuadrohet në tregun gjerman dhe në tregun e Bashkimit Evropian, përmes konkurrencës dhe përmes punës”, tha kryeministri Mustafa, duke ftuar kryeministrin Seehofer që të vizitojë sa më shpejt Kosovën.





Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat