Dilemat që nuk ekzistojnë më për kufirin

Lajme

Dilemat që nuk ekzistojnë më për kufirin

Nga: I. Morina Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 12:23

Sipas disave disa çështje kanë mbetur të pazgjidhura sa i përket përcaktimit të kufirit me Malin e Zi, duke parashtruar madje pyetje, se nëse Komisioni Shtetëror i ka përgjigjet, përkatësisht nëse u është përmbajtur procedurave shkencore, ligjore, dhe etike. Disa nga pyetjet që i kanë arritur edhe redaksisë sonë, e të cilat po qarkullojnë në politikë, parti e institucione janë si ajo se nëse Komisioni ka njohuri për ekzistimin e vijës kufitare mes ish Republikës së Serbisë me Malin e Zi në territorin e Kosovës prej vitit 1945, dhe a është diskutuar kjo vij me palën malazeze? Sipas përfundimeve të Komisionit shtetëror përfshirë përgjigjet publike, në pikat e formuluara prej tij, përgjigja është se Komisioni ka pasur informacione, por nuk i ka trajtuar këto çështje duke shmangur të vërtetën. Kjo çështje (e parashtruar në pyetjen e mësipërme) sipas dokumentacionit të ofruar nga Komisioni, nuk është shtruar për diskutim me Malin e Zi, përkatësisht autoritetet apo me Komisionin përkatës shtetëror të vendit fqinj.
Vija që ka ekzistuar kufitare nuk përputhet me vijën e Komisionit Shtetëror të përcaktuar nga Komisioni i udhëhequr nga Murat Meha, është përgjigja tjetër për çështjen e shtruar në diskutim. Ndërsa, çështja e tretë që shtrohet se nëse ka ekzistuar kjo vijë kufitare dhe nëse nuk përputhet me vijën e Komisionit, a ka ndonjë dokumentacion legal për ndryshimin e kësaj vije? Përgjigja është më se e qartë se nuk ka asnjë dokument juridik, si miratim në Kuvendin krahinor të Kosovës apo në nivel të Jugosllavisë.
Çështja se a ka harta që kanë vij tjetër të kufirit në krahasim me vijën e propozuar nga Komisioni dhe çfarë periudhe kohore i takojnë, po ashtu ka përgjigje negative për Komisionin Meha. Të gjitha hartat topografike, shkollore, të botuara me leje të institucionit më të lartë të atëhershëm në Jugosllavi, hedhin poshtë vijën e Mehës.
Dilema të tjera janë se a janë konsultuar ato harta dhe a është biseduar me palën malazeze për një vijë të atillë, me gjasë përgjigja është se Komisioni nuk ka punuar si i pavarur, por sipas direktivave-udhëzimeve të Komisionit malazez, prandaj se ka shtruar as për diskutim.
Pyetja se nëse llogariten hartat e institucioneve hartografike të licencuara për përpilimin e hartave me shkallë të ndryshme si dokumente legale grafike, ku lexohet vija kufitare mes republikave dhe krahinave në ish Jugosllavi, është po ashtu me përgjigje pozitive për vërtetësinë e hartave të ofruara nga dy gjeografët dhe që fajëson apo e bën përgjegjës Komisionin për neglizhencë, indiferencë dhe refuzim.
Dilema se a janë konsultuar të gjitha faktet, të cilat kanë sjell deri te mospërputhja për 8229 ha e sipërfaqes (territorit të Kosovës) mes dy sipërfaqeve (të Mehës dhe asaj ekzistuese), po ashtu merrë përgjigjen, se të gjitha faktet që rrëzojnë punën e Komisionit, nuk janë marrë në konsiderim nga Komisione Meha, për arsye që i din Komisioni edhe pse nuk ishin të panjohura për të.
Dhe më pas shtrohet dilema qenësore për punën e Komisionit, se a ka njohuri Komisioni për kadastrën e Malit të Zi dhe a ka Mali i Zi kadastër detale dhe ndarjen e pronave deri në kufirin me Kosovën bazuar në vërtetimin përmes gjeoportalit malazez (http://213.149.105.122/geoportal/visiosviewer/mapview Gjeoportalit malazez er.page)? Përgjigja është negative, edhe në këtë rast për Komisionin, i cili thotë se sipas kadastrave komunale Kosova nuk ka tokë përtej kufirit të përcaktuar nga Komisioni i udhëhequr nga Murat Meha. Fatkeqësisht për punën e këtij Komisioni dhe të vendit, nëse pranohet kufiri i krijuar (pranuar) nga Komisioni Meha, sipas të dhënave të gjeoportalit malazez, del se fqinji (Mali i Zi), ka shumë më shumë tokë kufitare të pa azhurnuar në kadastra se sa që i mbesin Kosovës nën Mal të Zi.
Dilema në radhë e shtruar si e nënta, se nëse paraprakisht në mënyrë kronologjike Komisioni e ka studiuar tërë materialin grafik dhe vendimet politike mbi kufirin mes Republikës së Serbisë dhe Malit të Zi dhe KSA të Kosovës dhe Malit të Zi para vitit 1988, po ashtu merrë përgjigje negative për Komisionin, sepse ai ka gabuar ose ka anashkaluar qëllimisht ose i shtyrë nga jashtë që të jetë refuzues apo përjashtues për dokumentacionin dhe përcaktimet grafike ekzistuese.
Dilema e fundit është shtruar se nëse Komisioni shtetëror i ka konsultuar të gjithë ekspertët vendor para se të përfundohej marrëveshja mbi demarkacionin. Edhe kjo dilemë nuk i jep mbështetje punës së Komisionit shtetëror. As udhëheqësi dhe asnjë nga anëtarët, edhe pse kanë qenë në dijeni se profesorë të gjeografisë ishin konsultuar vite më parë për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi dhe as prej momentit kur ata filluan të publikojnë dëshmi, nuk janë konsultuar nga Komisioni shtetëror asnjëherë, edhe pse këtë e ka bërë vetë Kryeministri Mustafa dhe parti politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat