​Fillon takimi rajonal i Procesit Brdo-Brijuni (Foto)

Lajme

​Fillon takimi rajonal i Procesit Brdo-Brijuni (Foto)

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 18:03

Në zyrën e presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, në Zagreb, filloi takimi i jashtëzakonshëm i kryesisë së procesit presidencial Brdo-Brijuni, në të cilin marrin pjesë të gjithë krerët e shteteve të Evropës Juglindore.

Në cilësinë e miqve të nderit janë zëvendëspresidenti i SHBA-së, Joe Biden, kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe presidenti austriak, Heinz Fischer.

Zyrtarët u pritën nga presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç dhe presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.

Të parët që arritën ishin anëtarët e presidencës së BH-së, Dragan Çoviç, Bakir Izetbegoviç dhe Mladen Ivaniç, pastaj presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, presidenti serb, Tomislav Nikoliç, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, presidenti malazez, Filip Vujanoviç dhe presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.

Nën masa të rreptë sigurie mbërriti edhe zëvendëspresidenti i SHBA-së, Joe Biden, i cili është dhe zyrtari më i lartë amerikan që merr pjesë në këto iniciativa rajonale.

Për shkak të takimit të sotëm, nga mbrëmë në Zagreb zbatohen masa të posaçme të sigurisë. Disa rrugë janë mbyllur q ë ka shkaktuar pengesa në komunikacion.

Një nga temat e samitit në Zagreb do të jetë kriza e refugjatëve që ka përfshirë rajonin, ndërsa do të flitet edhe për përmirësimin dhe mbështetjen e proceseve integruese evropiane dhe euro-atlantike të vendeve të përfshira në procesin Brdo-Brijuni si dhe për sfidat globale të sigurisë me të cilat përballet e tërë Evropa pas sulmeve të fundit në Paris.

Takimi i parë i procesit Brdo-Brijuni u mbajt në korrik të vitit 2013. I ftuari i nderit ishte presidenti francez, François Hollande.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat