Gjuriq: Marrëveshjet s’janë shprehje e dobësisë, po e këmbënguljes

Lajme

Gjuriq: Marrëveshjet s’janë shprehje e dobësisë, po e këmbënguljes

Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 17:23

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq ka deklaruar sot se marrëveshjet që Serbia i lidh me Kosovën nuk janë shprehje e dobësisë, po e këmbënguljes së Serbisë për të mbijetuar në Kosovë me popullin dhe kishën e vet.

“Vetëm me dorën e zgjatur, me dashurinë krishtere, vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë mund luftojmë kundër padrejtësive që po na bëhen” ka thënë Gjuriqi në manastirin Deçani i Epërm, ku mori pjesë në festën kishtare Shën Stefani i Deçanit, raporton agjencia Tanjug.

Ai ka theksuar se shqiptarët në Kosovë, njëjtë si dhe serbët, duhet të jenë të vetëdijshëm se ardhmërinë mund ta kenë vetëm njëri pranë tjetrit dhe njërët me tjerët dhe se duhet t’i përkrahin ata politikanë dhe elita politike që nuk çojnë drejt konflikteve, po drejt komunikimit normal dhe marrëdhënieve normale.

“S’do të gjeni asnjë ndër ne që do ta hedhë gurin i pari, por s’do ta gjeni edhe asnjë ndër ne që do të heshtë dhe do ta durojë padrejtësinë dhe do të lejojë që të shkelet ajo që është fjalë e dhënë dhe që është marrë vesh. Marrëveshjet që po i bëjmë nuk janë shpreh je e dobësisë sonë, por e këmbënguljes dhe fuqisë së qëndrueshme, jo vetëm të këtij populli në Kosovë, por edhe e vendosmërisë së tërë Serbisë që ajo të mbijetojë këtu bashkë me popullin e vet dhe me kishën e vet”, ka thënë Gjuriqi.

“Duam të jetojmë në raporte normale, njerëzore dhe miqësore me fqinjët tanë shqiptarë dhe sa më shpejt që ata ta pranojnë këtë, aq më pak dëme do të ketë për të gjithë”, ka porositur ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat