Kërcënimet e tmerrshme alla ISIS! Sulmet mund të vijnë nga Serbia, nga na erdh ‘vehabia’!

Lajme

Kërcënimet e tmerrshme alla ISIS! Sulmet mund të vijnë nga Serbia, nga na erdh ‘vehabia’!

Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 12:42

Ftesa e kryeministrit Isa Mustafa për qetësi është legjitime. Një burrështetas në kohën që vendi mund të ballafaqohet me krizë të rëndë është e udhës që ftesa të jetë edhe miqësore edhe vëllazërore.
Fakti që kryeministri kumtoi se edhe zyrtarisht Qeveria është tërhequr nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, dhe se për të përcaktuar kufirin ka bërë ftesë për ekspert ndërkombëtar, situata duhet të shkojë drejt zbutjes së qëndrimeve dhe raporteve pushtet – opozitë.
Po ashtu Presidentja Jahjaga që më parë i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të deklarohet për Marrëveshjen e Kosovës për Asociacionin, është një shans tjetër që opozita të pajtohet, dhe që ti kthehet rrugëve institucionale për nxjerrjen e vendit nga kriza.

Por, takimi i djeshëm i Kryeministrit Mustafa me Këshillin Shtetëror të Sigurisë, i cili dha alarmin për rritje të kujdesit dhe thirrje për qytetarët që të shmangin koncertet, ndeshjet sportive dhe qendrat ku ka frekuencë të madhe njerëzish, është pika kyçe nga ku duhet të reflektojmë të gjithë.
Pavarësisht interpretimit, që i bën opozita apo edhe analist se alarmi mund të jetë dhënë thjeshtë për të penguar protestën e opozitës për të shtunën me 28 Nëntor, dhe për ta penguar edhe festimin madhështor të një feste shqiptare, kuq e zi, e cila po shkakton një rizgjim ndjenjash për çdo vit, duke ia pamundësuar shuarjen e zjarrit të shqiptarisë, atyre që po kërkojnë tjetërsimin e shqiptarëve, rreziku nga sulmet alla ISIS, ekziston në vetvete.
Është koha që shqiptarët ta mbrojnë shtetin e tyre, jo duke e lënë në duart e fatit apo në duart e askujt, në shpresa të padukshme, pa formë, në këshilla dhe ankesa pa kontratë! Neve na duhet aleancë garantuese në letër me miqtë tanë më të mëdhenj, dhe jo që Kryeministri të thotë pa fije ngurrimi se nuk dinte gjë se Dikoviçi ishte në Kosovë. Edhe për këtë mosdije të Kryeministrit nëse është e vërtetë duhet të ketë shkarkime në zinxhirin komandues për fshehje dhe mos raportim të së vërtetës, duke u nisur nga AKI-ja, policia e tutje, e pse jo duke nisur nga kabineti Mustafa dhe këshilltarët e tij, që në këtë rast rezulton se as nuk mbledhin informacione dhe as nuk dinë ti interpretojnë, pasi që vendimi i marrë nga NATO-ja për heqjen e kufizimeve ajrore, duhej të nënshkruhej nga dikush, e autoritet tjetër për këtë nuk ka, veç KFOR-it.
Nuk është vetëm Kosova e kërcënuar, përkundrazi një alarm të ngjashëm e kanë dhënë edhe vende me shumë më shumë siguri. Në Bruksel edhe tanket u nxorën në rrugë, aq i lartë u llogarit të jetë kërcënimi pas sulmeve masakruese në Paris. Ndërsa, SHBA-ja jo që nuk e largoi dyshimin për sulme terroriste, por e konsideron sulmin punë të kryer, pra ‘çështje kohe’.
Dhe duke e ditur se rreziku kryesor për shqiptarët nuk vjen nga vetë ISIS, pasi ajo nuk ka ndonjë terren apo fuqi për të vendosur ndonjë rend në Kosovë, shqiptarët duhet të kthejnë vëzhgimin nga fqinjët.
Në Maqedoni jemi dëshmitar të qindra shqiptarëve, e ndoshta mijërave të manipuluar kryesisht nga Shërbimi Inteligjent sllavomaqedonas, i cili duke qenë nën tutelën serbe, projekton jo vetëm goditjen e shqiptarëve në Maqedoni, por nëpërmjet bazave të atjeshme ta shpërndajë elementin dhe celulat ekstreme në Kosovë. Kjo gjë vërehet qartë nëse shikohet në qytetet që lidhen me Shkupin. Hani i Elezit dhe Kaçaniku janë kthyer në dy vatrat me praninë më të madhe të elementit ekstrem.
Po ashtu nuk janë pa telashe qytetet që janë kufitare me Serbinë, dhe gjendja është po aq e rënduar edhe në kryeqytet, siç kanë dëshmuar arrestimet dhe bastisjet e nisura një vit më parë gjatë gjurmimit të ekstremistëve fetar.
E gjitha kjo situatë, sikurse kemi argumentuar dhe afirmuar në vazhdimësi, se ekstremizmi fetar në Kosovë u soll kryesisht nga shërbimi inteligjent serb, dhe në disa raste nga shërbime miqësore me atë serbe, duke u ndërthurur me atë arab, për të projektuar shuarjen e fatit të shqiptarëve mbi këtë dhe.
Pra, strategjia e dikurshme serbe për vrasjen dhe zhdukjen e shqiptarëve me luftë, tashmë është kthyer në paraqitjen e shqiptarëve si ekstremistë dhe rrezik permanent për Europën, kështu që për të realizuar këtë qëllim investuan apo bashkëinvestuan qindra miliona e miliarda euro.
Dhe tash rreziku është tek dera, Ante Portas, por ai para së gjitha vjen nga Serbia! I. Morina

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat