“Le Figaro”: Bandat shqiptare drejtojnë trafikun e refugjatëve

Lajme

“Le Figaro”: Bandat shqiptare drejtojnë trafikun e refugjatëve

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 17:53

Bandat kriminale shqiptare po drejtojnë trafikun e emigrantëve në qendër të Bashkimit Europian.

Ky është konstatimi shqetësues që vjen nga burime të Këshillit të ministrave të Bashkimit Europian, i bazuar në të dhënat e servirura nga disa shtete anëtare të Bashkimit Europian.

Sipas këtyre të dhënave, në pak muaj, bandat shqiptare kanë arritur të kryesojnë trafikun e emigrantëve në Gjermani, Hollandë, Belgjikë dhe Francë.

Specialiteti i bandave shqiptare rezulton të jetë kalimi i mijëra refugjatëve së shumti përmes furgonave, kamionëve dhe mjeteve të tjera të transportit nga pjesa kontinentale e Europës në Mbretërinë e Bashkuar.

Rezulton, se bandat shqiptare, kanë arritur të krijojnë struktura që janë vazhdimisht në ndryshim e sipër dhe të fitojnë të ardhura të majme, që kapin nivelin e qindra mijëra eurove në muaj për person.

Madje për të përditshmen franceze “Le Figaro”, që i ka kushtuar një nga kopertinat e saj aksionit të bandave kriminale në kampet e refugjatëve, trafiku i emigrantëve nga bandat shqiptare dhe irako-kurde në Francë, ka arritur vetëm në disa javë të kapë një përfitim në nivelin e 350 mijë eurove.

Por duket se bandat shqiptare janë edhe “më të zotë” se të tjerët.

“Le Figaro” i referohet ndër të tjerash burimeve të policisë franceze gjatë shkatërrimit të një bande shqiptare, të përbërë prej një organizatori dhe 4 trafikantësh që po bënte kërdinë me transportimin e emigrantëve.

“Zbuluam, se çdo emigrant duhej të paguante 6 deri në 7 mijë euro për të kaluar në Mbretërinë e Bashkuar.

Në tërësi, janë 300 persona që kanë përfituar nga kjo strukturë, që ka sjellë një përfitim prej 2 milionë eurosh. Pra, secili prej shfrytëzuesve ka futur në xhepa 400 mijë euro”,- citohen të jenë shprehur burimet policore franceze për “Le Figaro”.

Bandat kriminale shqiptare përfliten gjithashtu të jenë më të egrat gjatë larjeve të hesapeve për të kontrolluar parkingjet apo autostradat, nga ku “ngarkohen” edhe emigrantët.

Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Brukselit ka dënuar një bandë shqiptare prej 11 personash të specializuar në kalimin e emigrantëve nga Belgjika në Mbretërinë e Bashkuar.

Dënimet që janë vendosur nga Gjykata e Krimeve të Brukselit janë dy deri në gjashtë vjet burgim, ndërkohë që gjobat janë përcaktuar në nivelin 6 mijë euro për viktimë.

Por Gjykata ka dashur tê japë njê mësim tê fortë për trafikantët, duke dënuar njërin prej trafikantëve shqiptarë me një gjobë prej 324 mijë euro.

Nga të njëmbëdhjetë shqiptarët në bankën e të akuzuarve, pesë prej tyre mbaheshin tashmë në paraburgim nga autoritetet belge.

Banda shqiptare është dënuar me motivin, se ka kaluar me qindra persona në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas prokurorisë së Brukselit, banda shqiptare kishte kryer rreth njëqind udhëtime nga Belgjika në Mbretërinë e Bashkuar, duke dërguar me qindra emigrantë në ishullin britanik.

Banda shqiptare pêrdorte dy mënyra për transportin e emigrantëve: njëra nga një parking të vendosur përgjatë autostradës “E40” me një kosto prej 3 mijë euro për person, tjetra edhe e sigurtë përmes transferimit nëpërmjet Holandës me një kosto prej 6000 eurosh për person.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat