Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në veri të këtij qyteti, është zhvilluar të martën seanca gjyqësore ndaj gazetarit Milaim Zeka dhe Rrustem Rrukollit, të cilët po akuzohen për veprën penale “Shkelje e fshehtësisë së procedurës” dhe “Tentim i pengimit të provuarit ose procedurës zyrtare dhe privatësisë”.
Gazetari Milaim Zeka, ka bërë të ditur për Kosovapress se gjyqi ndaj tij do të jetë gjyqi më i turpshëm i EULEX-it në histori.
Sipas tij, akuzat për kinse zbulimin e identitetit të një dëshmitari të mbrojtur në një proces gjyqësor, janë krejtësisht të pavërteta, sepse ai nuk ka zbuluar identitetin e dëshmitarit në fjalë dhe as nuk e ka intervistuar.
Zeka: Salustro ka deklaruar se i din vrasësit, por nuk dëshiron të marr masa
“Në historinë e Evropës moderne perëndimore ka me qenë si gjyqi më i turpshëm i evropianëve, në rastin konkret i EULEX-it… Krejt kjo lojë është prej ish prokurorit Mauricio Salustro, të cilin unë e kam investiguar një kohë të gjatë dhe me hulumtimet e mia kam ardhur në përfundim se ai ka qenë kryemafiozi i mafisë ndërkombëtare të instaluar në Kosovë… Salustro me pseudonimin e tij që e ka pasur në këtë grup si “doktori”, në bashkëpunim me një polic tjetër italian me pseudonimin “pacienti”, ju kanë marrë njerëzve, sipas dëshmive të mia që kam, miliona euro për t’i liruar nga akuzat, ose kanë marrë para për të akuzuar njerëz të pafajshëm, siç është rasti Kiçina, i vëllezërve Ramadani dhe Kiçina, të cilët janë dënuar padrejtësisht pikërisht nga Salustro, dhe i cili në prezencën time, të një koleges time dhe të një ndërkombëtari, ka deklaruar në zyrën e tij se ai e din se kush janë vrasësit, por nuk dëshiron të marr masa”, ka thënë Zeka.
Ai ka falënderuar qeverinë suedeze e cila ka dërguar dy përfaqësues të vet për ta vëzhguar gjyqin e sotëm, ndërsa u shpreh i bindur se do ta fitojë këtë proces gjyqësor.
Ndërkaq, avokati i të pandehurit Rrustem Rukolli, Gregori Guy Smith, tha se Zek a dhe Rukolli nuk janë fajtorë për atë që po akuzohen.
Guy Smith: Prokuroria bazohet në spekulime dhe supozime
“Qëndrimi i mbrojtjes është se rasti i prokurorisë bazohet në spekulime, hamendësime dhe supozime dhe këto nuk do të dëshmojnë përtej dyshimit të arsyeshëm se zotëri Rrukolli dhe zotëri Zeka janë fajtorë të asaj që ngarkohen. Në fakt ata nuk janë fajtorë për atë që po akuzohen,” tha Guy Smith.
Seanca do të vazhdojë nesër, ndërsa dëshminë para Trupit Gjykues do ta ofrojë dëshmitari i mbrojtur i prokurorisë, i koduar si ‘dëshmitari I’.