Bunjaku-Rexhepi: Opozita së pari duhet t`i fitojë zgjedhjet dhe pastaj të caktojë agjendën e Kuvendit ...

Lajme

Bunjaku-Rexhepi: Opozita së pari duhet t`i fitojë zgjedhjet dhe pastaj të caktojë agjendën e Kuvendit ...

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 17:11

Gjilan, 13 tetor, Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendi Komunal, e ftuar me kërkesën e opozitës, për të diskutuar për gjendjen në arsim, ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së numrit të nevojshëm të anëtarëve. Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, pas verifikimit të prezencës së këshilltarëve, ka konstatuar, se nuk ka kourum për të mbajtur seancën, duke nënvizuar se kjo do të thotë që LDK-ja si partia më e madhe cakton agjenda dhe mund të thërras seancën. Ftesës për seancë të jashtëzakonshme i ishin përgjigjur 13 anëtarë të Kuvendit nga radhët e PDK-së, VV-së dhe disa subjekteve të vogla, ndërkaq munguan përfaqësuesit e LDK-së, AAK-së dhe Lëvizjes “Vatra”, që përbëjnë koalicionin qeverisës. Në një konferencë me gazetarë, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku-Rexhepi, së bashku me dy shefat e grupimeve politike në koalicion LDK-AAK, Avdyl Aliu e Selami Xhemajli, ka sqaruar se opozita, së bashku me disa parti të vogla, kishte mbledhur 16 nënshkrime për të ftuar seancë të jashtëzakonshme. “Opozita nuk pati numra për të mbajtur seancën. Ata së pari duhet t`i fitojnë zgjedhjet dhe pastaj mund t`i caktojnë agjendat e Kuvendit Komunal”, ka thënë ajo. Bunjaku-Rexhepi ka thënë se nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme ishin mbledhur në mënyrë tinzare, për të shtuar se opozita duhet ta kuptojë fuqinë e saj në Kuvend Komunal, ku agjendën e cakton partia fituese e zgjedhjeve – LDK, bashkë me partenrin e koalcionit, AAK-në. Ajo ka mohuar akuzat e opozitës se është në shërbim të LDK-së, duke thënë se në Kuvend u ka krijuar mundësi të barabarta diskutimi të gjitha subjekteve politike, e sidomos opozitës, por nuk e mohon se i përket këtij subjekti politik, përmes të cilit e ka marrë besimin e qytetarëve për të qeverisur dhe për çka i falënderon ata. Sa i përket gjendjes në arsim, Bunjaku-Rexhepi ka thënë se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Drejtori i tashëm i Arsimit e ka ndaluar të keqen e madhe në arsim, që e kishte shkaktuar qeverisja e PDK-së, duke lënë 138 të punësuar në mënyrë të paligjshme.“Opozita nuk ka të drejtë morale të akuzojë të tjerët për gjendjen në arsim, kur e di mirë se në çfarë gjendje e ka lënë këtë sektor dhe çfarë barre të rëndë i ka lënë qeverisjes sonë, me një numër kaq të madh të të punësuarve jashtë kritereve”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi. Sa u përket protestave, të cilat janë përmedur nga opozita si mundësi, në një konferencë me gazetarë të mbajtur nga PDK e VV, Bunjaku-Rexhepi ka thënë se opozita mund të dalë në rrugë, të thyej e shkatërroj, por duhet ta kuptojë se me sjellje të tilla mund t`i humb edhe këto pak vende që i ka në asamblenë komunale.T. Selimi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat