Ja çfarë shkruan CNN për kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2016

Lajme

Ja çfarë shkruan CNN për kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2016

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 15:17

Nuk ndodh gjithmonë që Shqipëria të kualifikohet në njërin prej turneve më të rëndësishëm të futbollit botëror, prandaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama, mund t’i falet “lënia pas dore e punëve të shtetit” për të festuar kualifikimin e vendit të tij në finalet e Euro 2016 në Francë.

Me këtë fjali nis CNN një artikull të gjatë kushtuar kualifikimit të Shqipërisë në finalet e europianit dhe festës së organizuar nga autoritetet shqiptare në Tiranë për të falenderuar Kombëtaren për arritjen historike.

“Të hënën, Rama ishte personalisht në aeroportin e Tiranës për të pritur heronjtë që po ktheheshin nga Armenia, para se të udhëtonte në autobus me ta drejt selisë së Kryeministrisë arritjen historike të një vendi të vogël”, vijon artikulli.

CNN shkruan se shpresat për kualifikim u tronditën pas humbjes 0-2 ndaj Serbisë, por nuk u shuan plotësisht.

Pikërisht pas kësaj humbjeje, shkruhet nga CNN, Edi Rama vendosi të takojë lojtarët dhe t’i karikojë ata.

“I takova pas ndeshjes me Serbinë. Ishin të zhgënjyer. Ishte një humbje tronditëse. U fola, u thashë që sa më shumë i ngjitesh malit, aq më e fortë bëhet stuhia. Tani është koha të tregoni karakterin tuaj!”, rrëfen Rama në një intervistë ekskluzive dhënë për CNN.

CNN shton se, pavarësisht malit e stuhisë, Shqipëria siguroi kualifikimin falë fitores 0-3 në transfertë me Armeninë, që pasoi një festë të shfrenuar në Shqipëri dhe Kosovë.

Në artikull nuk lihet pa përmendur që pakkush besonte se Shqipëria do të arrinte një sukses të tillë, me skuadra si Portugalia, Danimarka dhe Serbia, skuadra këto që në nisje të këtyre eliminatoreve vlerësoheshin si favoritet kryesore.

CNN përmend lojtarët me origjinë shqiptare që nuk kanë zgjedhur ngjyrat kuqezi, duke sjellë si shembull Granit dhe Taulant Xhakën. I pari zgjodhi Zvicrën, ndërsa i dyti Kombëtaren shqiptare.

“As e kam ëndërruar diçka të tillë. I telefonava babait tim pas ndeshjes me Armeninë dhe ai ishte në lotë. Jemi të lumtur për njerëzit. E di që kanë probleme të mëdha, ndaj kjo lumturi për ta është me të vërtetë speciale”, deklaroi po për CNN kapiteni i kuqezinjve, Lorik Cana.

Në fund CNN analizon rrugëtimin e kuqezinjve deri tek kualifikimi. “Shqipëria pati një kualifikim të vështirë duke patur parasysh që do të duhet të luante dy ndeshje kundër Serbisë. E para në Beograd u mbyll para kohe pas fluturimit në stadium të një droni me flamurin e hartës së Shqipërisë së Madhe, ndërsa në të dytën, Serbia fitoi 2-0 në Elbasan Arena, dy javë më parë”, shkruan CNN.

Por pavarësisht kësaj, vijon artikulli, skuadra ia doli mbanë të realizonte ëndrrën dhe siç thotë kryeministri Rama, kjo skuadër bashkoi edhe më shumë shqiptarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat