Skenarët e dhunës dhe kaosit nën orkestrimin e SHIK-ut!

Lajme

Skenarët e dhunës dhe kaosit nën orkestrimin e SHIK-ut!

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 12:19

Ngjarjet e mbrëmshme edhe njëherë e konfirmuan se sa e brishtë dhe e rrezikshme është situate politike në vend. Më shumë se sa vetë pushteti, qëndrimi i LDK-së në këtë koalicion është edhe më i vështirë.
Arrestimi mund të bëhej në një ditë tjetër, sikurse që nuk u bë deri dje, pra të pritej të kalonte festa kuqezi, dhe të ndiqeshin procedurat standarde. Nuk ka justifikim për një prokurori që njëherë kryen një arrest dhe pastaj vet nuk shfaqet, dhe vetëm të nesërmen, pra sot (e martë) i tregon opinionit për arsyet e arrestimit.
Këto shkelje flagrante procedurale duhet të çojnë në shkarkime në dy linja: shkarkime në zinxhirin komandues në polici dhe shkarkime në zinxhirin vendimmarrës në prokurori. Dhe duhet patjetër të merren në përgjegjësi ata që shkaktuan kaos duke lënduar policinë, dëmtuar pronën e shtetit dhe pronën private.
Por, kujt po i konvenon një situatë që me çdo kusht duhet të ketë koherencën e krizës, dhe që në një rast më ndjeshëm të kalohet në krizë totale?
Ne në vazhdimësi kemi vlerësuar se ngjarjet e dhunshme, të nisura me hedhje vezësh në rrugë, në Kuvend dhe pastaj një tentim sulmi të eskortës së Kryeministrit, të vazhduara me gazin lotsjellës të Albinit, dhe me dhunën e mbrëmshme kundër institucioneve, janë shprehje e pakënaqësisë sa e arsyeshme, për aq edhe janë të manipuluara me skenarë të strukturave të caktuara, PDK-opozitë.
Arrestimi pa fletarrest, duke pasur mundësinë e arrestimit në flagrancë, tregon se skenaristët e kishin menduar mirë këtë gjë. Të arrestohej Albini atë ditë pak kush do e mbështeste dhe do të dilte të bënte luftë me policinë, si mbrëmë në mesnatë. Prandaj, hapi tjetër i tensionimit ishte, që të ndodhte arresti, dhe të krijohej një kaos. Një kaos ende jo kulminant, në të cilin më në fund do të mund të përmbysej qeveria.
Një argument tjetër se të gjitha këto ngjarje e kanë skenarin në PDK, përkatësisht në ish strukturat e SHIK-ut, të cilat kanë dëshmuar se po e ruajnë kohezionin e tyre, është fakti se komandant Remi, deputeti Rrustem Mustafa, për herë të dytë brenda pak ditësh përsëriti kërkesën që o të zgjerohet qeveria o të prishet koalicioni me LDK-në.
Duke qenë edhe figurë zyrtare e PDK-së edhe i afërt me SHIK-un e dikurshëm, ky po e jep mesazhin e qartë për LDK-në, përkatësisht Isa Mustafën, që do ta ketë të vështirë në mos të pamundur për të mbijetuar kjo qeveri, përkatësisht ky koalicion pa një marrëveshje të re të ndarjes së pushtetit!
Në këto rrethana PDK-ja dhe SHIK-u, hapur po bashkëpunojnë me opozitën, dhe nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre, dhe njerëzve që kanë në institucione, po ia dalin ti realizojnë skenarët me përpikëri.
Nuk po arrijnë dot ta arrestojnë një deputet të dyshuar për krime, dhe në vend të kësaj ndodhie, po krijojnë situata pakënaqësie, të cilat pastaj në çdo rast të përdoren për ta shpërthyer situatën. Kjo situatë po e mban qeverinë nën kontrollin e plotë të PDK-së dhe të SHIK-ut, por as kaq atyre nuk po iu mjafton! I. Morina

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat