Zhgradohen kuadrot shqiptar në sektorët e ministrisë së brendshme

Lajme

Zhgradohen kuadrot shqiptar në sektorët e ministrisë së brendshme

Më: 10 tetor 2015 Në ora: 15:40

Sistematizimi i ri në Ministrinë e Brendshme ka zbritur në detyrë shqiptarët nga pozitat udhëheqëse. Alsat mëson se postet udhëheqëse të shqiptarëve janë zëvendësuar nga kuadro maqedonas ndërkohë që në detyrë janë ngritur edhe kuadro maqedonas pa arsimim adekuat.

Përveç në Ministrinë e Brendshme ndryshime ka pothuajse në të gjithë sektorët për punë të brendshme të vendit. Në Kumanovë gjithashtu kryeshefi i Sektorit, i policisë së uniformuar, policisë kriminalistike, analitikës, komandanti i policisë së komunikacionit janë maqedonas. Ndërkohë që kuadrot shqiptarë në Stacionet kufitare në Goshincë dhe Bellanoc janë zëvendësuar me komandantë maqedonas. Edhe në Sopot dhe Tabanoc janë emëruar komandantë maqedonas. Në Tetovë kryeshefi i Sektorit të Punëve të Brendshme, Faredin Zenuni është zëvendësuar nga një pasardhës shqiptar, Nevahir Bexheti. Megjithatë drejtori i sektorit të Komunikacionit Besir Qamili, është zëvendësuar nga polici i deritanishëm Atanas Beqarski. Alsat mëson se ndryshime dhe avancime janë bërë edhe në disa sektorë të tjerë, por vetëm në favor të të punësuarve maqedonas. Madje janë avancuar kuadro që kanë vetëm shkollim të mesëm. Vendimet për këto ndryshime kanë ardhur në mesnatë, thonë informacionet tona brenda SPB-së së Tetovës.

Nga ana tjetër përveç shpërfilljes në përfaqësimin vertikal, shqiptarët janë anashkaluar edhe në përfaqësimin horizontal. Gjatë konkursit të fundit të punësimit të 600 policëve të ri, rreth 46 janë shqiptarë. Zv/ministri i brendshëm Zemri Qamili ishte i pakapshëm për të komentuar ndryshimet në dëm të të punësuarve shqiptarë në këtë dikaster. Shkarkimet bëhen disa ditë para se LSDM-ja të marrë postin e Ministrit të Brendshëm ashtu siç parashihet me marrëveshjen politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat