Çollaku: Mbi 11 milion euro ndahen për tri pikëkalimet kufitare Kosovë- Serbi

Lajme

Çollaku: Mbi 11 milion euro ndahen për tri pikëkalimet kufitare Kosovë- Serbi

Më: 10 tetor 2015 Në ora: 11:25

Ministri i Integrimit Evropian, BekimÇollaku dhe drejtori për Ballkanin Perëndimor pranë Komisionit Evropian, Jean-Eric Paquet, nënshkruan gjatë kësaj jave marrëveshjen financiare për ndërtimin e tri pikëkalimeve kufitare të përbashkëta mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të fondeve IPA të BE-së.

Për ndërtimin e pikëkalimeve kufitare të përbashkëta ishte nënshkruar marrëveshje vitin që shkoi në Bruksel nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë sipas konceptit të Marrëveshjes së IBM-it, që parashihte ndërtimin e gjashtë pikave kufitare të përbashkëta, tri prej të cilave tanimë do të mbështeten nga fondet IPA për Kosovën.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, i cili ka sqaruar se për këtë projekt që ka për qëllim modernizimin dhe krijimin e një infrastrukture të nevojshme përcjellëse sipas standardeve të Bashkimit Evropian, për tri pikat e përbashkëta të kontrollit kufitar janë ndarë 11.1 milion euro.

Bëhet e ditur se nga fondet e IPA-s, të ndara për Kosovën do të investohet në pikëkalimet kufitare: Merdarë, Mutivodë dhe Bërnjak, ndërsa për tri pikëkalimet e tjera: Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe Muçibabë fondet do të ndahen nga asistenca e BE-së për Serbinë.

Në total në të gjitha këto pika do të investohen mbi 20 milion euro nga fondet e BE-së me qëllim të avancimit dhe modernizimit të infrastrukturës në pikëkalimet kufitare.

Sipas Çollakut, këto pika kufitare do të jenë model për nga pajisjet dhe kushtet e punës.

“Ndërtimi i pikëkalimeve të përbashkët kufitare sipas standardeve më të larta të BE-së nënkupton krijim të lehtësirave në lëvizjen e lirë të njerëzve e të mallrave si dhe rrit sigurinë në kontrollin kufitar.

Një investim i tillë do t’i mundësoj agjencioneve përgjegjëse për menaxhimin e kufirit: Policisë së Kosovës, Doganës së Kosovës, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, të rrisin efikasitetin në menaxhimin e kufirit si dhe parandalimin dhe luftimin e krimit ndërkufitar”, ka thënë Çollaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat