Shtohen kërkesat e serbëve, kërkojnë edhe tri fshatra në jug të Mitrovicës

Lajme

Shtohen kërkesat e serbëve, kërkojnë edhe tri fshatra në jug të Mitrovicës

Më: 10 tetor 2015 Në ora: 10:28

​Kryetari i Mitrovicës ka siguruar qytetarët e komunës që drejton se nuk do të lejojë devijim nga Plani i Ahtisarit, kur bëhet fjalë për definimin e kufijve administrativë të dy komunave, një tendencë që gjithnjë e më shumë po shfaqet nga veriorët.

Sipas Agim Bahtirit, në kuadër të aktiviteteve për realizimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, është paraparë edhe definimi i kufijve administrativë ndërmjet komunës së deritashme dhe asaj të re.

Duke i parë tendencat e drejtuesve të komunës veriore që përkufizimi i kufijve administrativë të bëhet jashtë Pakos së Ahtisarit, kryetari Bahtiri ka ftuar të premten në një takim përfaqësues të partive politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Mitrovicës, për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.

Me këtë rast, ai i ka njoftuar për këto synime dhe është zotuar se në asnjë mënyrë nuk do të pranojë devijimin nga Plani i Ahtisarit, me të cilin plan shqiptarët edhe ashtu janë dëmtuar.

Bahtiri tha se qytetarët e Mitrovicës, para së gjithash ata që jetojnë në fshatrat dhe lagjet në veri të lumit Ibër, të cilët me planin e Ahtisarit i takojnë komunës së deritashme (e cila pa vullnetin e tyre është ndarë), ndërsa serbët po kërkojnë që t’i takojnë komunës në veri, nuk duhet të shqetësohen aspak, sepse një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë me pëlqimin e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat