“Sekreti", kush e spiunoi Ballistin për armët sipas prokurorisë?!

Lajme

“Sekreti", kush e spiunoi Ballistin për armët sipas prokurorisë?!

Më: 10 tetor 2015 Në ora: 07:55

Do doja të isha përballë një trupi gjykues serb që të mbroja dinjitetin e krenarinë e shqiptarëve. Por, fati deshi që unë të jem përballë një gjykatësi shqiptar dhe më duhet të mbroj dinjitetin tim. Kurrë në jetë s’kam pasur e s’do kem probleme me shqiptarët. Do të rris me çdo mundësi dy fëmijë patriotë shqiptarë. Vendimin tuaj, cilido qoftë, do ta respektoj…”. Me këto fjalë, Ismail (Ballist) Morina iu drejtua nga kafazi i hekurt gjykatësit Julian Haxhiu.

Njeriu që ngriti dronin në stadiumin e Beogradit më 14 tetor 2014, në ndeshjen Serbi-Shqipëri, theksoi faktin ndihej i keqardhur për situatën e krijuar dhe mbante përgjegjësitë e tij, por kurrsesi nuk kërkonte mëshirë, pasi për të mbi çdo gjë tjetër vlen krenaria dhe personaliteti i tij.

Morina mbërriti i veshur me një bluzë të kuqe me simbolet kombëtare, që nuk u lejua ta mbante në sallë. Mësohet se Ismail Morina është lejuar ta ndjekë ndeshjen në qeli.

Ngjarja sipas prokurorisë

Prokurori Gjergji Tako, që në krye të herës foli për detajet e arrestimit të Ismail Morinës, duke pohuar se “njeriu i dronit” është “spiunuar” nga një njeri i panjohur. Ai zbuloi se policia është vënë në lëvizje, pas një informacioni konfidencial, ku personi rrëfente se me një makinë “Land Rover” lëvizte një person i armatosur.

“Në datën 07.10.2015 patrullat e përgjithshme të komisariatit të policisë nr.1 kanë marrë informacion nga salla operative se një automjet me targë me shenja fillestare AA xxx kishte brenda njerëz të armatosur. Në orën 00:30 një patrullë ka konstatuar automjetin përballë një subjekti të quajtur ‘L…L’. Patrulla ka ndaluar dhe ka vërejtur se në timon gjendej një shtetas.

Në makinë ndodheshin dhe tre persona të tjerë. Nga intervistimi rezultoi se në timon gjendej shtetasi Ismail Morina. Nga krahu i drejtuesit quhet Marin Rexha, ndërsa dy të tjerët rezultoi se quheshin Denis Balla dhe Erjon Bahushi. Patrulla vijoi kontrollin dhe rezultoi se Ismail Morina kishte në xhepin e përparmë të majtë të pantallonave një armë zjarri të markës ‘Zastava’, në krehrin e kësaj arme gjendeshin gjashtë fishekë. Në trupin e tre personave të tjerë nuk u gjend asnjë send i kundraligjshëm. Në ambientet e komisariatit nr.1 vijoi kontrolli, ku poshtë sediljes së drejtuesit u konstatua një pistoletë tjetër e markës ‘TT’ me ngjyrë të zezë, shkruan Gazeta Shqiptare.

Në dyshemenë e automjetit u gjend një gëzhojë ngjyrë bronzi. Në brendësi të kroskotit u gjend një kuti kartoni me 30 copë fishekë. I dyshuari Ismail Morina shpjegoi se armët që iu gjendën në automjet i posedonte ai dhe i mbante për vetëmbrojtje. Ai shpjegon se armën ‘TT’ e kishte gjetur në fshatin e tij në Kukës, ndërsa pistoletën ia kishte dhënë një shtetas kosovar”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Në makinë, u gjet gjithashtu edhe një parullë në gjuhë të huaj me kuptimin “Unë jam shqiptar”. Për sa më sipër, prokurori kërkoi masën e arrestit me burg për Morinën.

Argumentet e avokatit

Avokati i Ballistit deklaroi dje në gjyq se ai ka kërkuar mbrojtje nga shteti, por nuk ka arritur ta marrë atë. Sipas Ardian Vishës, nga të dhënat rezulton se Ismail Morina, mbahej nën vëzhgim nga policia dhe nuk është arrestuar mbi bazën e një informacioni konfidencial. Së dyti, duke dorëzuar një faqe të gazetës prestigjioze “The New York Times”, evidentoi faktin se është vetë Ismail Morina, që duke folur për këtë gazetë, i ka rrëfyer gazetarit se mban armë me vete, për shkak se ndihet i rrezikuar, madje i ka treguar edhe armën. Në vijim, avokati nguli këmbë se rasti i Ballist Morinës duhet trajtuar si i veçantë.

“Rasti në fjalë duhet të trajtohet si i veçantë, në një gjuhë tjetër do të duhet të ishte quajtur ‘sui generis’ kazuz, sepse i tillë është. Shtetasi që unë mbroj, prej kohësh për të mirë apo për të keq, është bërë sa objekti i një dashurie, simpatie, vlerësimi emocional patriotik, po aq dhe target i një urrejtje dhe pse jo edhe në rrezikun e jetës së tij për shkak të veprimit të 14 tetorit të një viti më parë në Beograd. Mbi këtë fakt të njohur botërisht, rreziku i jetës dhe ndryshimi i kushteve të saj për Ismail Morinën, ka bërë që ai të mbajë dy armët që mbante me vete”, tha mbrojtësi Visha.

Avokati theksoi më tej se gjatë bisedave që ka pasur me Ismail Morinën, ai i ka pohuar se ka kërkuar mbrojtje për jetën, por nuk i është ofruar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat