Nga Kosova në Firenze - udhëtimi i fëmijëve “fantazmë” (Video)

Lajme

Nga Kosova në Firenze - udhëtimi i fëmijëve “fantazmë” (Video)

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 14:41

I kanë cilësuar si “fëmijët fantazmë” dhe bëhet fjalë për dhjetëra adoleshentë kryesisht nga Kosova, të cilët udhëtojnë drejt Italisë për të gjetur një jetë më të mirë. Gjithçka bëhet me bekimin e prindërve të tyre, të cilët u paguajnë trafikantëve mbi 2 mijë euro për çdo fëmijë, në mënyrë që të sistemohen në qytetet italiane. “Corriere Della Sera” ka zbardhur rrugët e trafikut për këta fëmijë, që shpesh përfundojnë edhe në rrugë.
Dhjetëra të mitur kryesisht nga Kosova e Bosnja arrijnë në Firence dhe në qytete të tjera italiane. Ata futen në tokën italianë nga trafikantët në rrugë tokësore, e ndërsa familjet e tyre paguajnë deri në 2500 euro, për t’ju siguruar fëmijëve të tyre një të ardhme më të mirë. Por shpesh këta fëmijë hidhen në mes të rrugës.

Mediat italiane kanë zbardhur rrugën e trafikut të fëmijëve kosovarë, 16-17 vjeçarë që zbarkojnë në qytetet italiane.

Firence ka pritur numrin më të lartë të tyre.

Udhëtimi nga Kosova zgjat shumë ditë, me një veturë ku futen 3 deri në katër të mitur. Rruga është e gjatë, nga Kosova, në Serbi, Hungari, Austri, Slloveni e më pas në tokën italiane.

"Prindërit e mi kanë paguar për të më dërguar në Itali dy mijë euro. Unë udhëtova një javë për të arritur këtu, kam ndryshuar disa makina. Nga Kosova në serbi, e pas kaluam në një vend të quajtur Subotica në kufi mes Serbisë e Hungarisë. Kaluam kufirin e Hungarisë në këmbë, pastaj nga Austria në Slloveni me makinë. Unë nuk e di kush ishte shoferi i makinës”, thotë një 17-vjeçar në një nga qendrat e pritjes në Firence.

"Në Kosovë ka një varfëri të madhe. Nuk ka punë. Ne duam të hipim në një avion e të vijnë në Evropë, por nuk na lejohet. Dhe jemi të detyruar të paguajnë për këto udhëtime të gjata me makinave. Kishim shumë frikë gjatë rrugës. Pjesa më e vështirë është kufiri me Hungarinë, mua më arrestuan, qëndrova dy ditë në burg e më pas erdhi më morri një shofer tjetër”, tregon 17-vjeçari tjetër nga Kosova.

Por trafikantët kanë gjetur një mënyrë të veçantë për t’iu ngecur këta fëmijë autoriteteve italiane. Ata i lënë pranë policisë, e kështu ata përfshihen në qendrat e mbrojtjes të fëmijëve.

“Këta fëmijë përfundojnë në qendrat e pritjes. Regjistrohen në një shkollë, ne kujdesemi për ta, e nëse ata qëndrojnë sipas rregullave të vendit kanë mundësi të fitojnë një leje qëndrimi”, thotë Marliena Macchia, nga Qendra e pritjes së fëmijëve në Firence.

Megjithatë numri i lartë i këtyre fëmijëve ka detyruar autoritetet të rrisin kontrollet dhe të godasin grupet e trafikantëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat