Deliu- Kodra pas gazit lotsjellës: Fat që nuk kishte shtatzëna dje në Kuvend

Lajme

Deliu- Kodra pas gazit lotsjellës: Fat që nuk kishte shtatzëna dje në Kuvend

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 14:35

Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra e cila dje kishte pësuar nga gazi lotsjellës që u hodh në sallën e Kuvendit të Kosovës nga ana e opozitës, e ka quajtur atë si veprim radikal.

Ajo ka thënë se asnjëherë nuk e ka menduar se do të mund të ndodhte një gjë e tillë në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk kam qenë e vetëdijshme që gazi është aq i rëndë që me shkaktu asi probleme. Asnjëherë se kam menduar se në Parlamentin e Kosovës do të vije si ide që me u hedh gazi. I kam arsyetuar edhe vuvuzelat dhe të gjitha veprimet e opozitës edhe gjuajtjen me vezë që i ka kaluar të gjitha normat e të bërit opozitë konstruktive, por kjo e fundit nuk e di çfarë të them”, ka deklaruar Deliu- Kodra.

Deliu-Kodra pas alivanosjes që pësoi dje në Kuvend ishte dërguar menjëherë në qendrën emergjente ku kishte marrë tretmanin mjekësor.

Ajo ka sqaruar për Indeksonline se cilat ishin pasojat nga gazi lotsjellës.

“Gazi ka shkaktuar presion të tension, në frymëmarrje ligështime, marramendje, vjellje, këto kanë qenë telashet që i kanë nxjerrë doktorët. Mua më vjen keq çka kishte me ndodhë në rast se do të ishe ndonjëra nga gratë deputete shtatzënë. Më ka ardhur mirë që nuk ka pasur një grua shtatzënë sepse pasojat do të ishin shumë të rënda”, theksoi Deliu- Kodra, duke shtuar më pas se veprime më radikale se këto deri më tash brenda institucionit të Kuvendit nuk ka pasur.

Ajo ka shtuar se nuk e di deri në çfarë mase do të mund të përshkallëzohet situata pas këtyre veprimeve që ka bërë opozita.

Deliu-Kodra ka theksuar gjithashtu se do të vazhdojnë punën e Kuvendit nëse ka kushte dhe se me atë çfarë ndodhi dje janë shqetësuar të gjithë qytetarët e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat