I akuzuari kërkon konsultim me dijetarë fetarë

Lajme

I akuzuari kërkon konsultim me dijetarë fetarë

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 12:54

Sahit Bislimi i akuzuar për vrasje në tentativë kërkoi që t’i mundësohet konsultimi me dijetarët fetarë në lidhje me akuzat.

Ai kërkoi shtyrjen e seancës për të realizuar këtë konsultim, por seanca u shty për arsye tjera.

Kryetarja e trupit gjykues u detyrua ta shtynte seancën në mungesë të dëshmitarëve të planifikuar për sot, duke thënë se gjykata nuk ka dëshmi që ata kanë marrë ftesa të rregullta.

Sipas aktakuzës, Sahit Bislimi më 17 prill 2006 në Prishtinë, në Rrugën “Lidhja e Lezhës” në afërsi të lokalit “Ada” e ndaloi veturën dhe nga distance 5-6 metra përmes xhamit të hapur shtiu njëherë në drejtim të të dëmtuarit Alush Fazliut që në ato çaste ishte para lokalit të tij duke biseduar me telefon.

Asdren Hoxha, avokati i Sahit Bislimit tha për KALLXO.com se arsyet pse klienti i tij po kërkon konsultim me dijetarë fetarë janë personale.

“Arsyet i di vetëm ai, sepse janë arsye personale, mirëpo një propozim i tillë edhe pse është i jashtëzakonshëm në procedurë penale mua mu duk i arsyeshëm. Konsultimi me dijetarë fetarë dhe marrja e mendimit të tyre nuk është asnjëherë e tepërt. ... Unë e përkraha dhe duke pasur parasysh që palët e dëmtuara munguan, atij iu mundësua, iu dha koha, afati shtesë që do ta bëjë një gjë të tillë,” tha avokati Hoxha.

Ai tha se kjo lëndë është e vjetër dhe ende nuk po përfundon.

“Po kjo siç e dini është një lëndë shumë e vjetër e ish-Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë edhe që një kohë të gjatë nuk po arrijnë të përfundojnë. Nuk është hera e parë, edhe herën e kaluar kanë munguar dëshmitarët, përkatësisht pala e dëmtuara gjë që ndodhi edhe sot dhe është bërë e nevojshme që pa vullnetin tonë që kjo seancë të shtyhet për datën 30 tetor,” tha Hoxha. /kallxo.com

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat