Prezantohet projekti “Forcimi i kapaciteteve kombëtare për ruajtjen e natyrës – përgatitja për rrjetin Natura 2000”

Lajme

Prezantohet projekti “Forcimi i kapaciteteve kombëtare për ruajtjen e natyrës – përgatitja për rrjetin Natura 2000”

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 12:28

Zëvendësministrja e Mjedisit Znj. Olijana Ifti së bashku me Shefin e Sektorit Politik pranë Delegacionit të Bashkimit Europian Z. Jan Rudolph dhe Ambasadorin Italian në Tiranë Z. Massimo Gaiani prezantuan zyrtarisht projektin “Forcimi i kapaciteteve kombëtare për ruajtjen e natyrës – përgatitja për rrjetin Natura 2000”, në ceremoninë e zhvilluar në Hotel Tirana International.

"Qeveria shqiptare është duke mbështetur vazhdimisht projektet e fokusuara në mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetin. Gjatë viteve të fundit kemi bërë progres në shumë fusha, duke përfshirë këtu përmirësimin e legjislacionit dhe përafrimin e tij me acquis të BE-së dhe zgjerimin e zonave të mbrojtura në mbi 16% të territorit. Ky projekt është shumë i rëndësishëm për vendin tonë, jo vetëm për forcimin e sistemit tonë të mbrojtjes së natyrës, por edhe sepse kjo do të ndihmojë në proçesin tonë të integrimit në Bashkimin Europian. ", tha Znj. Olijana Ifti, Zëvendësministre e Mjedisit.

"Kjo është një iniciativë e madhe në mënyrë që të ndalojmë humbjen e biodiversitetit në Shqipëri nëpërmjet përmirësimit të menaxhimit të zonave të mbrojtura në vend. Për Bashkimin Evropian, mbrojtja e natyrës është një prej objektivave më gjithëpërfshirëse dhe ambicioze, për një planet më të qëndrueshëm. Unë jam shumë i kënaqur që konstatoj se Shqipëria kontribuon në mënyrë aktive në disa procese të mëdha të mbrojtjes së natyrës, si në nivel global, në BE apo në rajon. Për zbatimin e këtij projekti, me rëndësi të madhe është ndërtimi i sinergjive me këto iniciativa. Një menaxhim i mirë i zonave të mbrojtura përfshin shumë aktorë dhe palë të interesuara. Ne duhet të bashkojmë forcat tona dhe të punojmë së bashku", tha Z. Jan Rudolph, Shef i Seksionit Politik pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Ambasadori italian, Z. Massimo Gaiani, nënvizoi faktin se Kooperacioni Italian për Zhvillim ka si prioritet njohjen e mjedisit. "Në Shqipëri, ky tregues strategjik është miratuar për disa projekte të mbështetura nga Italia, me qëllim promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm si dhe për të rritur trashëgiminë mjedisore të Shqipërisë, e cila konsiderohet ndërkombëtarisht si burim i vlefshëm brenda rajonit të Ballkanit ne nivel nderkombetar. Projekti që po prezantohet sot do të kujdeset për biodiversitetin bimor dhe shtazor, por edhe në mënyrë indirekte do të jetë një mjet për mbrojtjen e kulturave të ndryshme dhe traditave që përdoren kryesisht në praktikat e menaxhimit të qëndrueshëm të tokës. Proceset e zhvillimit ekonomik në Shqipëri duhet të jenë në fakt të shoqëruara nga rregullimi i instrumenteve të politikës për mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit natyror, që synojnë zhvillimin e gjatë dhe të qëndrueshëm, zhvillim i cili në mënyrë të pashmangshme ndikon në jetën e përditshme sot, si dhe në të ardhmen ", tha z Gaiani.

Projekti “Forcimi i kapaciteteve kombëtare për ruajtjen e natyrës – përgatitja për rrjetin Natura 2000", ka për qëllim ndalimin e humbjes së biodiversitetit në Shqipëri përmes përmirësimit të menaxhimit të Zonave të Mbrojtura. Projekti synon të zbatojë të paktën pesë plane menaxhimi ekzistuese në zonat e mbrojtura në Shqipëri, si dhe të përgatisë një listë paraprake të rrjetit Natura 2000, duke marre në konsideratë paraqitjen e tyre në të ardhmen në Komisionin Europian, nga autoritetet shqiptare, duke kontribuar kështu në procesin e përafrimit të kuadrit rregullator të vendit me acquis mjedisore të BE-së.

Duke marrë në konsideratë shtrirjen kombëtare të projektit sipas planit te propozuar, ky projekt mbështetet në koordinimin e ngushtë me autoritetet shqiptare të përfshira, në sinergji me veprimtaritë aktuale të Kooperacionit Italian për Zhvillim në Shqipëri, si dhe me organizata të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare të përfshira në projekte mjedisore në vend.

Të pranishëm në event ishin rreth 100 përfaqësues të insitutioneve qeveritare, bashkive dhe misioneve diplomatike në Shqipëri si dhe akademikë, përfaqësues nga shoqëria civile, anëtarë të organizatave ndërkombëtare si dhe autoritete të ruajtes së natyrës.

Projekti financohet nga Bashkimi Evropian, mbështetur në Instrumentin për Asistencë Para Anëtarësimit (IPA 2013). Projekti do të implementohet nga Drejtoria e Përgjithshme për Bashkëpunimin për Zhvillim të Ministrisë Italiane të Punëve të Jashtme (MAECI / DGDC), në partneritet me Bashkimin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) dhe Shoqërinë Botanike Italiane (SBI). Periudha e zbatimit të projektit është 40 muaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat