Gaz-lotsjellës e vezë - kokteji antidemokratik i vetëvendosjes

Lajme

Gaz-lotsjellës e vezë - kokteji antidemokratik i vetëvendosjes

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 11:13

Zëvendësministri I Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, vlerëson se opozita i futi në Kuvend, metodat e veprimit në rrugë. Sipas tij, nga ky koktej antidemokratik i Vetëvendosjes, për të satën herë, po pëson shtetndërtimi, demokratizimi i shoqërisë tonë, e mbi të gjitha qytetari i Kosovës.

Kështu shkruan Gecaj në Facebook

Dje ishim dëshmitar të një veprimi opozitar, të prirë nga Vetëvendosja, plot me anarkizëm antidemokratik, me çrast ajo që është e shenjtë në tempullin e demokracisë, fjala e deputetit, u ngulfat dhe u përdhos me gaz lotsjellës, me vezë, me ujë e me shtyrje e sharje ofenduese, po edhe me mjete të rrezikshmërisë penale si skalperët. Kjo opozitë metodat politike të veprimit në rrugë edhe një herë i futi në Kuvend, me çka ato u kthyen në metoda rrugaçërie. Kjo opozitë numrin e vogël të votave, po aspiron ta rrit e gufoj me ve dhe me gaz-lotsjellës.

Nga ky koktej antidemokratik i Vetëvendosjes, për të satën herë, po pëson shtetndërtimi, demokratizimi i shoqërisë tonë, e mbi të gjitha qytetari i Kosovës. Ne, sidomos kohëve të fundit, po ballafaqohemi me veprime opozitare, posaçërisht të deputetëve dhe aktivistëve të Vetëvendosjes, të cilët pakënaqësinë e mbetjes në një opozitë jo-përfillëse e kthejnë në revolta e reagime të papërmbajtura, të cilat vërtetë na kujtojnë ‘beretat e kuqe’ dhe marrësit e pushtetit shpejt e me dhunë. Kjo nuk është Kosova të cilën e meritojnë qytetarët e Kosovës. Ne, përkundër të gjithave, do të vazhdojmë me konsekuencë për të respektuar rregullat e demokracisë, parimet liberal-demokratike, e orientimet evro-atlantike, me të vetmin qëllim që ta ndërtojmë shtetin e Kosovës ashtu si na kanë besuar dhe obliguar shumica e qytetarëve të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat