LDK e Zvicrës në përkrahje të rektorit, akuzon Mustafën për heshtje

Lajme

LDK e Zvicrës në përkrahje të rektorit, akuzon Mustafën për heshtje

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 08:56

Dega e LDK-së në Zvicër përmes një komunikate për media ka shprehur përkrahjen e tyre për rektorin e Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu.

“LDK është duke e përcjellur gjendjen në Universitetin e Prishtinës me shqetësim të madh. Kjo brengë rritet ma shumë kur kryetari i LDK-së Isa Mustafa, edhe në cilësinë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës është bërë heshtak dhe opurtun karshi përpjekjeve shkatërruese që po i bëjnë grupe politike të cilat janë të rrjetëzuara për interesa klanore, kurse tani janë duke organuzuar veprime për ta shkatërruar nismën e mirë që ka bërë rektori në Universitetin e Prishtinës. Përpjekjet e rektorit prof. dr. Ramadan Zejnullahu që në këtë institucion universitar të vihet rregulli dhe të qiten në pah vlera akademike, po pengohen nga politika, kurse Kryeministri i Kosovës i cili është edhe kryetar i LDK-së, po heshtë?!”, thuhet në komunikatë.

Më tej LDK e Zvicrës ka theksuar se si ka mundësi të vihet rend e rregull krejtësisht i vetmuar?! A ka mundësi që një Rektor të përballet thuaja i vetmuar me bandat e politikës të cilat edhe në UP thellë i kanë futur duart.
“Tashmë dekanë dhe senatorë që ishin minstra të dështuar janë bërë si paramilitar të politikave të caktuara, madje tashmë kanë dolur haptas duke vepruar të pa penguar për ta vënë në zap edhe UP dhe për ta diciplinuar rektorin Prof. dr. Ramadan Zejnullau. Për këto arsye Dega e LDK-së në Zvicër shprehet e zhgënjyer edhe me qëndrimin e Kryesisë së LDK-së në Prishtinë e cila nuk ka guxim politik për t’i kundërshtuar këto tendenca. Kryesia Qendrore e LDK-së në Prishtinë duhet ta dij se ka përgjegjësi morale dhe politike t’i kundërshtojë abuzimet me demokracinë që po i bënë kryetari i partisë, në të kundërten ata do të bartin turpin dhe përgjegjësinë historia e cila do t’i gjykojë për heshtën e pakuptimtë, jo vetëm karshi Universitetit por për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova”, theksohet më tej në komunikatë.

Dega e LDK-së në Zvicër ka shtuar se po flitet hapur se janë disa dekanë e senator që janë zgjedhur në krye të fakulteteve, pikërisht si misionar të partive përkatëse ku kanë involvuar në këto prapështi edhe Organizata Studentore të cilat në vend se të luftojnë për vlera dhe rregull, ato e bëjnë të kundërtën, madje nuk përtojnë të kundërshtojnë, ani pse ata kanë deficite elementare në përgatitjet e tyre profesionale e shkencore.

“Dega e LDK-së në Zvicër jo vetëm që i mbështet përpjekjet e Rektorit për të vendosur ligje dhe standard në UP, por apelon edhe tek faktori Ndërkombëtar që të ushtrojnë trysninë e tyre tek partitë politike që t’i heqin strukturat e tyre nga udhëheqja në Universitetin e Prishtinës, nga Prof. dr. Ramadan Zejnullahu. Dega e LDK-së në Zvicër e mbështet pa hezitim Rektorin e UP, prof. dr. Ramadan Zejnullahu duke e lutur atë që të qëndroj dhe të mos dorëzohet!”, thuhet në fund të komunikatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat