Skandaloze: Vuçiqi e mohon Boçkën për ambasador të Shqipërisë në Beograd (Video)

Lajme

Skandaloze: Vuçiqi e mohon Boçkën për ambasador të Shqipërisë në Beograd (Video)

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 19:10

Në një konferencë për mediat, pas takimit që ka pasur me ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Philip Hammond, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia nuk dëshiron të acarojë marrëdhëniet me Shqipërinë, por sjellja e ambasadorit shqiptar në Beograd, Ilir Boçka, nuk është një sjellje e hijshme diplomatike.

Pas refuzimit të marrjes së notës së protestës, Vuçiq tha se në procedurat e njohura diplomatike ka dy forma veprimi.

“Sa i përket ambasadorit të Shqipërisë, ai ka të drejtë të bëjë një veprim të tillë, kurse Serbia ka dy mundësi: e para t’i thotë se është person ‘non grata’ dhe e dyta është që ai të mos takojë zyrtarë të lartë për gjashtë muajt në vijim. Vendimi im është të mos i vëmë marrëdhëniet në këtë nivel, por për gjashtë muaj nuk mund të vijë tek unë apo te zyrtarë të tjerë të lartë. Sjelljet e tilla janë jodiplomatike dhe nuk mund të tolerohen”, tha Aleksandar Vuçiq.

Ambasada shqiptare në Beograd ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për refuzim komunikimi me institucionet, por në refuzim të vajtjes fizike në Ministrinë e Jashtme, për shkak se nuk është konsideruar kaq serioze, ky veprim ka ardhur duke mos dashur të krijohet tension para ndeshjes.

Kontaktet me institucionet do t’i mbajnë punonjësit e Ambasadës dhe nuk bëhet fjalë për ulje të nivelit diplomatik.

Vuçiq ka thënë se nuk ka pasur garanci për mospjesëmarrjen e ministrit të Jashtëm kosovar, Hashim Thaçi, ndaj dhe vizita e tij do të thoshte përulje e Serbisë.

Ministria e Jashtme serbe i dorëzoi një notë proteste ambasadorit të Shqipërisë, i cili nuk iu përgjigj thirrjes, lidhur me incidentin për goditjen me gurë të autobusit me ekipin kombëtar të futbollit të Serbisë. /Top Channel/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat