Kjo është thirrja e fundit e Edi Ramës për ndeshjen e sotme (Foto)

Lajme

Kjo është thirrja e fundit e Edi Ramës për ndeshjen e sotme (Foto)

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 17:15

Sot, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka pritur në takim disa student nga Serbia, për nisjen e programit për shkëmbimet rinore mes vendeve të Ballkanit.

Sipas një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Rama ka thënë se kështu patën vepruar edhe Gjermania e Franca, pas Luftës së Dytë Botërore, gjë që bëri këto vende të kthehen në dy shtylla të Evropës së Bashkuar.

“Të gjithë së bashku ata do të jenë në stadium sot, të ndarë për skuadrat e zemrës, por të bashkuar, njësoj si para edhe pas ndeshjes, në rrugën europiane të paqes së ardhur pas aq shumë gjakderdhjesh, konfliktesh, dasish ekstreme.
Uroj me të gjithë forcën e zemrës që sot të fitojnë Kuqezinjtë. Të fitojë tradita e shtëpisë së shqiptarit në shkallët e stadiumit. Të fitojë dinjiteti europian i këtij vendi pavarësisht se si mund të rrotullohet topi i futbollit”, ka shkruar Rama, për lojën e cila do të zhvillohet sot në Elbasan Arena mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Në disa foto të publikuara, shihen studentët serb duke vizatuar disa maica me flamurin shqiptar dhe atë serb, me mbishkrimet: “Vetëm luani, bëni qejf”.

Ndërsa, Rama ka thënë se pas lojës së fundit në Beograd, sot e gjithë bota i ka sytë në Elbasan Arena.

Më poshtë mund të lexoni shkrimin e plotë të Ramës:

Sot, në kryeministri, për të mikpritur në Qendrën për Hapje e Dialog, grupin e studentëve të shkëlqyer nga Serbia dhe Shqipëria në nisjen e programit të përbashkët për shkëmbimet rinore mes vendeve të Ballkanit. Atë që Franca dhe Gjermania bënë pas Luftës së Dytë Botërore duke hapur rrugën e paqes, e duke u kthyer në dy shtylla të Europës së Bashkuar, kombet tona mund ta bëjnë për rajonin tonë. Dhe këta të rinj janë nismëtarët e një programi që kemi vendosur ta vëmë në jetë, të frymëzuar pikërisht nga programi i shkëmbimeve rinore me Francës e Gjermanisë në kohën e vështirë të kapërcimit të lumenjve të gjakut që la pas mes tyre Lufta e Dytë Botërore

Të gjithë së bashku ata do të jenë në stadium sot, të ndarë për skuadrat e zemrës, por të bashkuar, njësoj si para edhe pas ndeshjes, në rrugën europiane të paqes së ardhur pas aq shumë gjakderdhjesh, konfliktesh, dasish ekstreme.
Uroj me të gjithë forcën e zemrës që sot të fitojnë Kuqezinjtë. Të fitojë tradita e shtëpisë së shqiptarit në shkallët e stadiumit. Të fitojë dinjiteti europian i këtij vendi pavarësisht se si mund të rrotullohet topi i futbollit.

Mos të harrojmë asnjë çast se, pas asaj që ndodhi në stadiumin e Beogradit, sot e gjithë bota i ka sytë në Elbasan Arena. Prandaj dashurinë për Kuqezinjtë ta tregojmë jo vetëm duke brohoritur parreshtur për ta, por edhe duke mos cënuar në asnjë mënyrë FAIR PLAY-n dhe ecurinë e mëtejshme të kësaj Kombëtareje drejt finaleve të Euro2016. E po njësoj, duke mos cënuar kurrësesi imazhin e Shqipërisë që ecën drejt Europës së Bashkuar.

Kjo është një mbrëmje historike për futbollin shqiptar dhe një test historik për dinjitetin tonë europian si vend mikrpitës.
Por nëse në fushën e lojës rezultatin final e vendos beteja me një kundërshtar shumë të fortë, gjatë dhe pas ndeshjes rezultatin e sjelljes dinjitoze e kemi në dorë vetëm ne, shqiptarët për Shqipërinë që duam.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat