Oguret e zeza! Vrasje, dhunë, hakmarrje, kaos!

Lajme

Oguret e zeza! Vrasje, dhunë, hakmarrje, kaos!

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 10:54

Si ta lexojmë letrën e Kryeministrit? Frikë, dhembje, krenari apo helm e vrerë, pafuqi dhe përlotje!
Kryeministri i Kosovës duket se është në hall të madh, në presion të dyfishtë të cilin mezi po e përballon. Presioni nga jashtë për të qëndruar në krye të qeverisë dhe për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare është thuaja si një shteg pa kthim për këdo që do të ishte në krye të një qeverie, veçmas në këto momente delikate.
Por, Zoti Mustafa para karrierës duhet të zgjedhe kombin, atë që kishte zgjedhur babai i shtetit të Kosovës, dhe babai i LDK-së, Dr.Ibrahim Rugova. Rugova ishte i pakompromis me këdo për interesa të atdheut! I tillë duhet të jetë çdo udhëheqës, dhe nuk ka nevojë të rrezikojë jetën e tij dhe familjen!
Ai deklaron se nuk e ka ndërmend të dorëzohet! Bile edhe para vdekjes, që nënkupton vrasjen, ku ai e sheh rrezikun nga veprimtarë të Vetëvendosjes, dhe nga përkrahja që i vjen prej disa militantëve të AAK-së dhe NISMA-s.
Gjuha e kërcënimeve e përdorur në vazhdimësi është ana tjetër e padukshme nga opinioni përveç atyre skenave që i kanë parë të gjalla drejtpërdrejtë në Kuvend.
Kërcënimet për Asociacionin dhe Demarkacionin, kanë qenë të rënda, dhe që në të gjitha këto fshihet mllefi kombëtar, pakënaqësia sociale, dhe deri tek pakënaqësia apo pasiguria juridike.
Por, pjesa tjetër e letrës, kur kryeministri Isa Mustafa flet për gjykatat, është veçse helm e vrerë, dhembje për sistemin tonë. Këtë dhembje ka vite që e ndjejnë shqiptarët që ballafaqohen dhe kërkojnë drejtësi, edhe si turp edhe si poshtërsi.
Dhe më mirë se çdo kush këtë e kanë ndjerë viktimat e luftës politike, familjet dhe të mbijetuarit e saj!
Ajo që shqetëson më së shumti është se situata po shkon drejt përkeqësimit, dhe argumenti më i mirë është vetë letra e Kryeministrit. Ogurzinjtë që po shfaqen gjithandej, të cilat mund ta kthejnë Kosovën në një vend kaosi të plotë, dhe ku mezi shërbimi sekret serb, dhe më pas edhe të tjera armiqësore do të hedhen ën sulm të plotë, për të përmbysur gjithçka, dhe ndoshta për të krijuar një sulm fatal.
Siç shihet dhe si raportohet për të nga diplomacia ndërkombëtare këtu. Rrallë ndodh që diplomatët të lexojnë në media për dhembjen dhe pafuqinë e një kryeministri.
Kjo po i ngjet Kosovës, e pafuqishme për të mbrojtur kufijtë, e pafuqishme për të mbrojtur ngrënien e sistemit nga Asociacioni, lufta speciale serbe, dhe e pafuqishme për ta mbrojtur edhe kryeministrin!
Kjo është idhtësia e kësaj jete, dhe argumentet se ku ka degjeneruar shtetësia e Kosovës! I. Morina

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat