​'Blindohet' hoteli ku do qëndrojnë serbët (Foto)

Lajme

​'Blindohet' hoteli ku do qëndrojnë serbët (Foto)

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 17:00

Edhe pse kombëtarja serbe mbërrin sot pasdite rreth orës 18:00 në Tiranë, qendra e kryeqytetit dhe zona në afërsi të hotelit ku do të qëndrojnë sportistët është rrethuar nga grupe policie.

Ata qysh herët në mëngjes janë parë të qëndrojnë në afërsi të hotel Sheraton dhe përgjatë gjithë Bulevardit Dëshmorët e Kombit nga ku do të kalojë edhe autobusi i kombëtares serbe.

Ndërkohë që edhe kafenetë dhe restoranti brenda në hotel nuk është i hapur për njerëz të thjeshtë. Mësohet se është dhënë urdhër që kafenetë brenda hotelit të qëndrojnë të mbyllura për dy ditë rresht, deri të premten, dhe të mos lejohen qytetarë të rastit të vijnë të pinë kafe.

Të gjitha këto masa merren për sigurinë e futbollistëve të kombëtares serbe. Ndërkohë Policia ka njoftuar më herët se qarkullimi i makinave do të ndalohet duke nisur nga ora 17:00 pasdite deri në orën 19:00, derisa kombëtarja serbe të mbërrijë nga aeroporti në hotel Sheraton.

Madje mësohet se kombëtarja e Serbisë nuk do të zhvillojë asnjë seancë stërvitore në tokën shqiptare. Në aerop ortin “Nënë Tereza” të Tiranës një autobus është vënë në dispozicion të kombëtares serbe që do ta marrë atë direkt nga avioni dhe do të largohet nga dalja VIP, duke evituar kështu mundësinë e çdo kontakti të saj me persona të ndryshëm.

Udhëtimi nga Rinasi deri në hotel “Sheraton” në Tiranë ku do të akomodohet kombëtarja serbe, do të shoqërohet nga forca të konsiderueshme të policisë, që në segmente të caktuar do të bllokojnë edhe trafikun në kryeqytet.

Pritet që në orën 19:30, kombëtarja e Serbisë të organizojë një konferencë për shtyp, në hotel “Rogner”, ku do të vijë nën masa të rrepta sigurie dhe forca të shumta policore. Të enjten, sipas rregullores së UEFA-s, dy orë para fillimit të ndeshjes, ata do të jenë direkt në stadiumin “Elbasan Arena”, natyrisht të shoqëruar nga eskorta të sigurisë dhe policisë shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat