Migrantët, nafaka e taksistëve austriakë

Lajme

Migrantët, nafaka e taksistëve austriakë

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 09:16

Si një dhuratë prej qiellit janë imigrantët nga Lindja e Mesme për shoferët e taksive në Austri. Paratë që mund t’i fitonin gjatë një dite pune, tash po i fitojnë me një turne, nga kufiri me Hungarinë deri në Vjenë. Brenda ditës ata po realizojnë 3-4 turne.

Ndërkohë që për ekipet e shpëtimit dhe strukturat e pritjes janë një telash i madh, imigrantët që po mbërrijnë përditë në kufirin austriak del të jenë kësmeti i pashpresuar për taksistët lokalë, të cilëve u është lejuar t’i transportojnë në gjithë Austrinë pa rënë ndesh me ligjin.

“Përpara, isha i kënaqur nëse fitoja 150 euro në dymbëdhjetë orë. Tani, këtë sasi parash e fitoj me vetëm një udhëtim deri në Vjenë”, thotë i buzëqeshur Mohammed Altintop, 30-vjeçar, i cili është parkuar sikur edhe afro 140 kolegët e tij afër pikës kufitare të Nickelsdorfit, ku mijëra emigrantë arrijnë përditë nga Hungaria.

Çmimi, i shkruar në mënyrë të qartë dhe të dukshme në një tabelë, është fiks, cilido qoftë numri i pasagjerëve. Këtë çmim e kanë të gjithë taksistët dhe është normale për këtë rrugë të gjatë 80 kilometra, thekson taksisti i ri vjenez, i lindur në Austri nga prindër me origjinë turke.

Me gjithë praninë, të afishuar po ashtu dukshëm, të udhëtimeve gratis me autobus dhe me tren për në kryeqytetin austriak, atyre nuk u mungon klientela. Të shumtë janë imigrantët që paguajnë vetëm e vetëm të vazhdojnë më shpejt përparimin e tyre drejt perëndimit.

E tërë Vjena vjen këtu

“Zakonisht bëj dy-tre turne në ditë”, thotë Mohammed. Pra, puna ime më sjell deri në maksimum 450 euro në ditë. Kolegu i tij Kevin Wittmann, një 23-vjeçar, i cili si taksist punonte vetëm vikendeve, tash punon çdo ditë dhe me orar të plotë, sepse nuk dëshiron t’i humbë asnjë sekondë nga fati i rrallë që i ka ardhur. Me veturën e tij me tetë ulëse për një drejtim deri në Vjenë ai kërkon 170 euro.

“U bënë tre javë që vij këtu dhe mundohem të zë sa më shumë turne. Po realizoj goxha fitim. Unë besoj se kjo situatë do të zgjasë”, thotë ai. Mbyllja nga Hungaria e kufirit me Serbinë, në gjysmë të shtatorit, e ka ulur numrin e madh të klientëve brenda pak ditësh. Mirëpo, shumë shpejt puna u rigjallërua, sepse refugjatët filluan të vinin me trena nga kufiri kroat. Nga 1.000 deri në 2.500 në ditë.

“U bë një muaj që po vazhdon kështu. Që ka punë fjala u përhap shpejt, sidomos përmes ‘Facebook’-ut, e tash krejt Vjena është këtu”, thekson Mohammed. Në fillim të shtatorit, Austria ka vendosur në marrëveshje me Berlinin, që të lehtësojë pritjen dhe tranzitin drejt Gjermanisë të imigrantëve, duke hequr çfarëdo ndëshkimi për taksistët profesionistë që bartin refugjatët, shkruan zëri.

Emigrantët kanë para, nuk janë të varfër

Me një kusht megjithatë: të mos ketë kalim të kufirit. Kështu, dy taksistë austriakë janë arrestuar para disa ditësh në Bavari për shkak të transportimit të emigrantëve deri në Gjermani.

“Nuk kemi të drejtë të çojmë emigrantë në Gjermani, vetëm deri në Salzburg (qyteti i madh austriak që gjendet në kufi). Para një muaji, kishte shumë taksistë që shkonin edhe matanë kufirit”, tregon Mohammed, duke theksuar se rivendosja e kontrolleve në kufi nga Gjermania e ka bërë me rrezik këtë punë, me gjithë 600 eurot që i sjellë një rrugëtim i tillë i gjatë 400 km.

Sipas Mohammedit, shumica e klientëve të tij refugjatë kanë ikur nga vendet e tyre për shkak të luftës e jo për shkak të varfërisë. “Ata kanë para, ata nuk janë të varfër”. Edhe Kevin vlerëson njësoj: “Ata nuk e kanë fare problem punën e pagesës për rrugëtimin e tyre”.

Saidi, një emigrant i ri me origjinë nga Damasku, me lëkundje koke e pranon se nuk është shtrenjtë udhëtimi deri në Vjenë. “Mendoj se nuk është shtrenjtë”, thekson ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat