Eqerem Bej Vlora ju tregon të vërtetën e popullit maqedonas…

Lajme

Eqerem Bej Vlora ju tregon të vërtetën e popullit maqedonas…

Nga: Fitim Dika Më: 6 tetor 2015 Në ora: 20:38

Maqedonia është shtet që ka problem me njohjen e Autoqefalisë së Kishës nga ana e Serbisë, njohjen e kombit maqedonas nga Bullgaria dhe në fund njohjen e shtetit me emrin kushtetues nga ana e Greqisë. Sa u takon shteteve shqiptare, Kosova ka njohur emrin kushtetues të Maqedonisë ,ndërsa Shqipëria akoma jo.

Maqedonia pretendon se krahas shtetit ka identitetin dhe kishën e vet. Por si e vlerëson problemin “maqedonas”, Eqerem Bej Vlora, njëri ndër njohësit më të mëdhej të problemeve ballkanike në librin e tij “Kujtime”, faqe 217-218.

Më poshtë Bota sot ua sjell mendimin e kushëririt të Ismail Bej Vlorës.

“E parë nga këndvështrimë popullor, për kufijtë e trevës së diskutueshme të pagëzuar me emrin “Maqedoni” kishte shumë pretendime. Bullgarët e shihnin atë si një pjesë të Bullgarisë të dhënë nga rusët me traktatin e Shën Stefanit në 1878. Serbët nuk donin të dinin për Maqedoninë, ata synonin vetëm zotërimin e krahinës së ashtuquajtur Kosve e Metohi, të cilët ata me eufemizëm e quanin Stara Srbija. Por me qenë se atje nuk e bënin dot lodrën e çetave, sepse 80-90% e popullsisë ishte shqiptare, ata lëvrinin gjatë kufijve të saj, në Maqedoninë veriore dhe në sanxhakun e Novipazarit, përt të qenë më vonë në kombinacionet e mundshme. Grekët nuk kishin të drejtë për asnjë pretendim territorial ose etnik në veri të kufijve të tyre shtetërorë (1912), sepse prej kohësh në të ashtuquajturën Maqedoni kishin mbetur vetëm pakicat e vogla dhe të shpërndara greke (si ishuj etnik në detin e etnive të tjera).

E megjithatë, pretendimet e tyre ishin mbase më të mëdhatë, sepse ata, si gjithmonë, vazhdonin ta mbanin veten si trashëgimtarët të superfuqisë perandorake bizantine dhe si mbartës të idealeve të kishës greko-ortodokse. Shqiptarët nuk kishin të bënin me Maqedoninë, sepse krahinat etnikisht shqiptare nuk ishin përfshirë në kornizën e reformave maqedonase; (pjesa më e madhe e Vilajetit të Kosovës dhe pjesë të Vilajetit të Manastirit edhepse, doemos, kishte ende disa pak shqiptarë brenda zonës së administrimit maqedonas). Statistikat e komitetit kombëtar bullgar për Maqedoninë, por edhe shumë burime tjera na japin këto pamje etnike të trevës gjeografike të administrimit të quajtur Maqedoni:

Bullgarë(sllavë maqedonë) 1.200.000
Grekë (shumica në qytete) 190.000
Turq 530.000
Shqiptarë 180.000
Vllehë 80.000
Hebrej 90.0000
Kombësi tjera 40.000

Shtrohet pyetja: Po a ishin vërtet bullgarë këta 1.200.000 sllavë të Maqedonisë?

Që bullgarët kishin bërë më shumë se çdo popull tjetër i Ballkanit për krijimin e kaosit të quajtur me eufemizëm, “çlirimi I popullsisë bullgare nga zgjedhja turke”, këtë nuk e mohon askush. Mirëpo puna është se, në thelb, këta njerëz nuk ishin aspak “bullgarë”, por sllavo maqedonë, të cilët po aq bukur mund ti quaje edhe serbë. Shkurt e saktë, ata nuk ishin aq bullgarë dhe as serbë, por një degëzimi i sllavëve të jugut, të cilët në rrjedhë të shekujve kishin krijuar veçoritë e tyre etnike dhe gjuhësore.”

Këtu tregohet se vërtet maqedonasit kanë krijuar një identitet të vetin të veçuar prej sllavëve tjerë, por që nuk janë antik që pretendon VMRO-ja, por sllavë siç pretendonin dikur SDSM-ja dhe kryetari i parë i Maqedonisë, Kiro Gligorovi. Gjtihsesi ky shkrim me siguri do vlente shumë për historianët e soçëm maqedon, në debatet e tyre kundër serbëve dhe veçanërisht kundër bullgarëve.

Eqerem Bej Vlora, është njëri ndër intelektualët më të shquar të fillim shekullit të kaluar. Si kushëri i Ismail bej Vlorës dhe djalë i Syrja Bej Vlorës ai kishte shkollim të lartë dhe njohje të forta në administratën osmane dhe perëndimore. Libri i tij “Kujtime”, është vlerësuar tej mase nga albanologët dhe studiusit e ndryshëm. /Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat