MPJ e Shqipërisë: Ja kush janë vendet që nuk e duan anëtarësimin e Kosovës në UNESCO

Lajme

MPJ e Shqipërisë: Ja kush janë vendet që nuk e duan anëtarësimin e Kosovës në UNESCO

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 19:03

Komisioni për Politikën e Jashtme në Shqipëri ka diskutuar sot çështjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Të thirrur për raportim përfaqësues të Ministrisë së Jashtme thanë sot se si Shqipëria dhe Kosova kanë lobuar shumë për anëtarësimin e saj në UNESCO, përfshirë edhe takimet me vendet e arabe. Drejtori i Përgjithshëm Politik në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, Sokol Gjoka tha se ato vende të BE-së, që nuk e duan Kosovën në UNESCO, janë të njëjtat që nuk e kanë njohur edhe pavarësinë e saj, përfshirë këtu Spanjën, Rumaninë, Qipron, Sllovakinë, por ndërkohë shtoi ai ka edhe vende anëtare të BE-së, që kanë pohuar se do të votojnë pro pranimit të Kosovës në UNESCO, edhe pse nuk e kanë njohur ende atë, duke nënkuptuar këtu Greqinë.

Gjoka: Vendet që nuk e njohin Kosovën po bëjnë fushatë kundër pranimit të saj në UNESCO

"Puna për procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, ka kohë që ka filluar, nat yrisht jemi në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Jashtme të Kosovës, me Qeverinë e Kosovës. Nga vendet anëtare të BE-së pothuajse e kanë dhënë mbështetje të plotë përveç vendeve që nuk e njohin Kosovën. Madje edhe ndonjë vend anëtar i BE-së që nuk e ka njohur Kosovën jo vetëm që e ka deklaruar votën kundër por po bën fushatë lobuese kundër pranimit të Kosovës në UNESCO. Pavarësisht se ata këtë qëndrim për mosnjohje e mbajnë për shkak të zhvillimeve të tyre të brendshme të paktën fushatën lobuese duhet ta ndërpresin. Megjithatë ka edhe vende që nuk e kanë njohur Kosovën, vende anëtare të BE-së, të cilat kanë dhënë shenja pozitive se do ta mbështesin anëtarësimin e Kosovës në UNESCO", tha Gjoka.

Ndërkohë në linjë të kundërt me Serbinë, përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme kanë folur edhe për një qëndrim ndryshe më pozitiv sa i përket mundësisë që Greqia jo vetëm të votojë pro pranimit të Kosovës në UNESCO, por edhe ta njoh Kosovën në të ardhmen.

Gjoka: Serbia nuk e ndryshon votën e saj, Greqia po

"Serbia e ka deklaruar votën e saj, dhe qëndrimi i saj dihet. Nuk ka ndonjë ndryshim dhe nuk pritet ndonjë ndryshim nga Serbia. Në raport me njohjen e Kosovës, kemi parasysh këtu vizitën e ministrit të Jashtëm Kotzias, i cili zhvilloi para pak muajsh në mandatin e parë të tij si ministër i Jashtëm, në Kosovë. Natyrisht lëvizjet dhe qëndrimet e tij ishin optimiste. U fol për një bashkëpunim më praktik, më konkret midis të dy vendeve. Kështu që shpresojmë se vota e Greqisë për Kosovën në UNESCO, të jetë në këtë linjë, të cilat janë disa mesazhe konkrete të kohëve të fundit që ne i mirëpresin nga Greqia, në raport me të gjithë procedurën e njohjes së Kosovës", tha Gjoka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat